
Gjatë prezantimit të kandidatëve të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkitë e Konispolit dhe Sarandës, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, tha se Rilindja është sjellë si një organizatë kriminale duke dhënë në Sarandë leje ndërtimi për pallate pa asnjë vizion për të ardhmen.
E tmerrshme që Saranda është e rrethuar nga uji dhe ende nuk e ka të zgjidhur situatën me ujin. Fondet e tenderat janë grabitur. Sjellje tërësisht anti-kombëtare dhe grabitqare, ajo e sjelljes së Rilindjes me Butrintin. Rilindja është sjellë si organizatë kriminale. Jep leje për pallate mbi pallatet, pa asnjë vizion për të ardhmen.
Meta tha se kandidatët e koalicionit “Bashkë fitojmë” do të mbrojnë interesin e qytetarëve, sepse vijnë nga vullneti i tyre, përmes primareve.
Ju e dini si janë imponuar e katapultuar kandidatët e palës tjetër. Klani më i fortë bëri pagesat më të shumta e u parashutuan.
Këto tre javë të vrapojmë që të bisedojmë me çdo qytetar që t’i japim një mundësi Sarandës, sepse është një brand i jashtëzakonshëm që kërkon një vizion të jashtëzakonshëm që të kthehet në mundësinë e jetës për sarandjotët që ta shohin të ardhmen në këtë qytet.



