Krimi makabër në Athinë, agresorët mbysin nënën 20-vjeçare dhe kërcënojnë me armë vajzën 11-muajshe

Krimi makabër në Athinë, agresorët mbysin nënën 20-vjeçare dhe kërcënojnë me armë vajzën 11-muajshe

Në fqinjin tonë të jugut, në Greqi, në rrethinat e Athinës, ka ndodhur një ngjarje që ka tërhequr vëmendjen e gjysmës së botës. Ka ndodhur një krim i pazakontë, të cilit, në një farë kuptimi, nuk i gjendet dot kuptimi. Tre vetë të armatosur, me kapuça të zinj në kokë, janë futur në një shtëpi, ku banonte kryefamiljari (një pilot i aviacionit civil grek), bashkë me zonjën e tij, një studente 20-vjeçare, me origjinë britanike, dhe me vajzën e tyre një-vjeçare. Një kapuçon tjetër bënte roje përjashta. Tre banditët u futën brenda, kapën të zotin e shtëpisë dhe arritën ta lidhnin pranë një poltroni në dhomën e ndenjës. Ndërsa të zonjës së shtëpisë i kërkuan t’u tregonte se ku ishte vendi ku ata mbanin gjerat e shtrenjta: paratë e bizhuteritë. E zonja e shtëpisë ua kallëzoi çfarë ata donin të dinin. Në një moment të caktuar, e kapur nga paniku, me foshnjën në krahë, ajo drejtohet nga shkallët dhe shkon e trembur në papafingo. Ndoshta për të kërkuar ndihmë, apo ndoshta për t’u fshehur atje. Por e ndoqën nga prapa dhe e mbytën, literalisht e mbytën. Para se ta mbysnin, për të ndaluar britmat e saj për ndihmë, për ta shkurajuar nënën, ata drejtuan pistoletat në kokën e foshnjës një-vjeçare. Pas kësaj, ata rrëmbyen ç’mund të rrëmbenin dhe u larguan. Teksa po dilnin, ata morën qenin, të cilin e kishin vrarë më herët, dhe e varën në parmakët e shkallëve të brendshme. Pasi dolën, i zoti i shtëpisë, i lidhur në poltronë me mjete rrethanore, arriti të zgjidhej dhe vrapoi të shkonte në papafingo, për të takuar të shoqen. E takoi, por tanimë të pajetë. Pranë trupit të saj të pajetë, ishte e bija që qante. I zoti i shtëpisë gjeti fuqitë për të bërë një telefonatë. Ai i telefonoi policisë, dhe ajo u ndodh aty në harkun e pak minutave.

Kjo ishte ngjarja. Qeveria greke ka caktuar një shumë të madhe prej 300 000 euro (kjo shifër të bën përshtypje, sepse është e pazakontë për rrethana të tilla), me synimin për të ndjellë njerëz që mund të kenë të dhëna, dëshmi që mund të çojnë tek autorët e krimit. Shteti grek dhe autoritetet greke janë shumë të interesuara të zbulojnë autorët e vrasjes, sepse ngjarja është bërë planetare, dhe në këtë prag të sezonit turistik të verës, pasi kanë kaluar pandeminë, ata duan të përcjellin mesazhin se situata është nën kontroll, dhe ngjarja që ka ndodhur është e natyrës episodike.

Autoritet greke po punojnë si në ethe edhe për një arsye tjetër që ka të bëjë me natyrën e krimit. Ishte një krim makabër, barbar. U vra një nënë në prani të foshnjës së saj, e cila ka qenë spektatore e agonisë së nënës. Njerëz të tillë janë kriminelë profesionistë, janë sadistë, mizorë, gjakftohtë. Janë edhe cinikë. Dhe kjo duket te fakti se pasi vranë të zonjën e shtëpisë, para se të largoheshin, u kujtuan të inskenonin një shfaqje gjithashtu makabër, me elementë të kërkuar dhe të tepërt hollywood-ianë. Ata patën kapriçon kriminale për t’i dhënë vetes edhe një trofe të fundit, një trofe allasoj, pa të cilën edhe mund të bënin. Trofeja ishte qeni i ngordhur që ata e varën në parmakët e drunjtë të shkallëve që të çonin në katin e dytë.

Në këtë ngjarje, sikur të mos ishte mjaft edhe vetë ngjarja që ishte tragjike dhe makabër (vazhdoj ta përsëris përcaktorin “makabër”), është edhe një element që mua personalisht m’u bë hall mbi hall. Nga dëshmia e të zotit të shtëpisë rezultoi se autorët e krimit flisnin një greqishte copa-copa, një greqishte të çalë. Kjo do të thotë se autorët e krimit nuk ishin grekë. Nisur nga ky fakt, disa komentues në gazetat online britanike bënë aluzionin se ky krim është i markës shqiptare. Madje, njëri prej komentuesve (unë pashë dy komente të tilla) nuk e përmendte Shqipërinë dhe shqiptarët, por përcaktonte pozicionin gjeografik nga mund të vinin autorët e krimit: nga një shtet fqinj me Greqinë, në veri të saj. Dhe frika ime (e nxitur edhe prej vrasjeve të bëra ditët e fundit në Shqipëri, në Vlorë, Elbasan e gjetkë, e nxitur në përgjithësi edhe prej vrasjeve të kryera prej sojit të shqiptarëve), është që dyshimet, aluzionet e tyre mund të jenë të vërteta. Nuk është çudi që autorët e krimit të jenë shqiptarë; që m’u thaftë goja, m’u thaftë! Pistoletat e vendosura në kokën e foshnjës, tok me mizanskenën e qenit të varur në parmakët e shkallëve të brendshme janë një kombinim i sadizmit me aftësinë për t’u tallur edhe me momente të tilla. Këto më sillen në kokë si trille të delinkuentëve të sojit tonë, të delinkuentëve që vijnë vërdallë, rravgojnë këtej nga anët tona. Por ngushëllohem (ngushëllim i thënçin!) prej idesë se greqishtja e çalë, copë-copë mund të jetë një faktor që flet në favor të idesë se autorët e krimit mund të mos jenë shqiptarë, sepse shqiptarët janë familjarë me greqishten. Shumica e shqiptarëve, që sot gjenden në Greqi, flasin një greqishte të mirë. Pra, ka gjasa që autorët e krimit të jenë prej kombësive të tjera, të jenë emigrantë të tjerë të dëshpëruar, që nuk e kanë për gjë të kryejnë një krim për përfitime të natyrës materiale. Madje, nuk e kanë për gjë ta kryejnë këtë krim me po atë lehtësi, dhe me po atë kënaqësi që ata ndiejnë kur pshurrin. Në këtë rrethanë, mund të mendohet (për fatin tonë “të mirë”) që autorët e krimit mund të mos jenë shqiptarë.

Ç’hall që kam edhe unë!!! Por nuk ke ç’ti bësh! Ky është halli i të gjithë shqiptarëve, besoj unë. Prapa çdo krimi që ndodh në Europë, apo kudo ku ka shqiptarë, prapa çdo krimi me natyrë spektakolare, sui generis, prapa krimeve që janë më makabër se krimet e tjera, ne jemi mësuar që instinktivisht të kërkojmë një shqiptar, apo disa shqiptarë. Kanë ndodhur shumë krime të tilla që kanë pasur për autorë shqiptarë. Shpresojmë që këtë herë të mos jetë kështu. Amen!

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy