
Kryetari i Sali Berisha zhvilloi një takim me të rinj dhe të reja të zgjedhur në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike, ku vlerësoi rolin e tyre në procesin e ripërtëritjes dhe modernizimit të forcës politike.
Gjatë fjalës së tij, Berisha theksoi se Kuvendi i fundit i Partisë Demokratike ishte një kuvend i orientuar drejt ripërtëritjes, duke nënvizuar se të rinjtë përbëjnë faktorët më të rëndësishëm në këtë proces.
Ju jeni vizioni. Vizioni juaj është vizioni më i mirë për partinë. Ne qëndruam për modernizimin e partisë dhe askush nuk mund të kontribuonte më shumë se ju në modernizimin e saj.
Berisha vuri në dukje se energjia, idetë dhe angazhimi i brezit të ri janë thelbësore edhe për organizimin e ri të Partisë Demokratike, duke shtuar se të rinjtë kanë potencialin për të luajtur një rol vendimtar në realizimin e objektivave politike të forcës opozitare.
Duke iu drejtuar anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar, ai tha se ata kanë nisur një rrugëtim të rëndësishëm në politikë dhe se mund të shndërrohen në shtyllën kryesore të arritjes së synimeve të partisë.
Ju jeni një fillim i shkëlqyer si politikanë të rinj, si anëtarë të Këshillit Kombëtar. Ju mund të bëheni boshti kryesor i arritjes së të gjitha objektivave tona. Unë jam shumë optimist. Ju keni të gjitha cilësitë dhe potencialin për të përmbushur misionin dhe detyrën tuaj.
Në përfundim, kreu demokrat shprehu besimin se përfshirja më e madhe e të rinjve do të ndikojë drejtpërdrejt në forcimin, modernizimin dhe suksesin e Partisë Demokratike në sfidat e ardhshme politike.



