Rama: Të hapen negociatat për ne dhe Maqedoninë. Michel: Shqipëria i ka përmbushur kushtet

Rama: Të hapen negociatat për ne dhe Maqedoninë. Michel: Shqipëria i ka përmbushur kushtet

Kryeministri Edi Rama prit sot Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, i cili ndodhet në Tiranë, në kuadër të vizitës së tij në vendet e Ballkanit Perëndimor

Bashkëpunimi i Shqipërisë me BE, avancimi në progresin e integrimit europian, ecuria e reformave, si dhe sfidat serioze të sigurisë me të cilat po përballet bota, si pasojë e agresionit rus në Ukrainë ishin në fokus të bisedimeve.

Në konferencën për mediat, Rama tha se jemi në një nivel krejt tjetër të bashkëjetesës në situatën politike europiane, si rezultat edhe i një vullneti, gjithmonë e më të shprehur, nga ana e Bashkimit Europian, nga ana e autoriteteve në Bruksel për ta afruar më shumë Ballkanin Perëndimor drejt Bashkimit Europian.

Në vigjilje të Këshillit Europian ku dihet, Shqipëria së bashku me Maqedoninë e Veriut janë në agjendë për t’u shqyrtuar çështja e çeljes formaleve të bisedimeve për anëtarësim, folëm për ecurinë e marrëdhënieve rajonale, për Ballkanin e Hapur, për të gjithë sfidat e brendshme të rajonit dhe sigurisht folëm për reformat në vendin tonë, duke filluar nga Reforma në Drejtësi e cila tanimë po jep frytet domethënëse.

Të gjithë e ndoqën dje operacionin shumë domethënës të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Shtetit për të goditur një rrjet kriminal dhe për t’i dhënë, ndoshta, goditjen më të rëndësishme, për sa i përket thellësisë së saj, krimit të organizuar në të tëra vitet e kësaj lufte që vazhdon, ashtu sikundër edhe shembuj kuptimplotë të vënies përpara drejtësisë të individëve, pavarësisht lidhjeve, pavarësisht përkatësive të tyre politike që tregojnë qartë se, jo vetëm jemi në rrugën e duhur, por se kemi hedhur hapa domethënës edhe në krahasim me vendet që prej kohësh i kanë çelur negociatat.

Rama shtoi se Shqipëria nuk kërkon të ndahet nga Maqedonia e Veriut për sa kohë ka akoma hapësirë të mendohet se Bullgaria mund të hapë rrugën.

Bëmë dhe një konsultim kombëtar ku përfshimë qytetarët e vendit për të dhënë opinion dhe ishin thuajse gjysmë milioni shqiptarë që u shprehën që nëse edhe me përmbylljen e Presidencës franceze kjo çështje nuk do të mbyllej, atëherë ne jemi në të drejtën tonë që të dalim nga rrezja e konfliktit që Bullgaria ka hapur me Maqedoninë e Veriut dhe do t’i drejtohemi patjetër të gjithëve.

Unë e kam parë të qartë që ky do jetë qëndrimi ynë, por deri në fund kur të bëhet mbledhja e Këshillit Europian, qëndrimi ynë është që të hapen negociatat për të dyja vendet.

Nga ana e tij Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel tha se qysh prej vizitës së shkuar, në fillim të vitit 2020, shumë gjëra kanë ndryshuar, Covidi, natyrisht lufta me Ukrainën, por një gjë nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë kurrë dhe ky është angazhimi ynë i plotë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Ai vlerësoi mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën, duke thënë se është treguar partner i besueshëm dhe një mik e aleat i vërtetë.

Ne diskutuam edhe marrëdhënien ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë pra, Shqipëria është pjesë e familjes europiane dhe mbetet partneri më kryesor për Shqipërinë dhe financuesi më i madh.

Ne duhet të japim energji të reja procesit të integrimit sepse këto sfida na bëjnë që të mendojmë dhe të kalojmë përtej atyre modeleve tradicionale, me mënyra të reja për të menduar, me mënyra novative për të krijuar stimuj të rinj për reforma që të përshpejtohen dhe të përshpejtohet procesi i integrimit europian dhe ne po punojmë që të japim rezultate të prekshme për gjithë shqiptarët dhe për të gjithë partnerët tanë në rajon.

Kjo do të thotë që ne po bëjmë përshpejtimin e integrimit tashmë dhe të mos presim derisa të plotësohen tërësisht negociatat për anëtarësim në qershor dhe ju e përmendët, ne do të kemi një takim të 27 udhëheqësve të Bashkimit Europian, me ju dhe me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor.  

Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për çeljen e negociatave për anëtarësim dhe bisedat për anëtarësim duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur.

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy