
Sot është afati i fundit kur Kosova dhe Serbia duhet t’i dërgojnë propozimet e tyre rreth një zgjidhjeje sa i përket përdorimit të dinarit serb në Kosovë.
Diskutimet për dinarin serb që u bënë të martën në Bruksel, nuk përfunduan me ndonjë zgjidhje.
Por, Kosova dhe Serbia u pajtuan që deri të premten t’i dërgojnë propozimet e tyre në adresë të Bashkimit Evropian.
Ndryshe, në Bruksel, më 19 mars u mbajt takimi i përbashkët ndërmjet emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kryenegociatorit të Kosovës në dialog, Besnik Bislimi dhe kryenegociatorit serb, Petar Petkoviç.
Temë e diskutimi në këtë takim ishte Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës lidhur me dinarin serb.
Bisedimet mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë përfunduan me zotimet e palëve që, deri më 22 mars, t`i dorëzojnë propozimet e tyre për zgjidhjen e çështjes së përdorimit të dinarit serb në Kosovë.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit ka deklaruar se janë dakorduar që deri të premten (22 mars) secila pale të sjellë propozimin e saj se si e sheh zgjidhjen afatshkurtër dhe se si të fillohet zgjidhja afatgjate e dinarit.
Emisari special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajcak, pas përfundimit të takimit në Bruksel mes kryenegociatorëve të Kosovës Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë Petar Petkoviç, ka njoftuar se takimi do të vazhdojë të hënën, duke theksuar se marrëveshja do të duhet të adresohet nga liderët.



