
Kryetari Eduard Shalsi ka vendosur që t’u japë fjalën deputetëve të opozitës të paraqitur fizikisht, në komisionin e Ekonomisë, megjithëse u kërkohet që të futen në platformën online.
Shalsi tha se e gjithë bota tashmë zhvillon mbledhjet online, ndërkohë që shtoi se kusht për praninë fizike do të jetë edhe certifikata e vaksinimit.
Ju dhashë fjalën, secili mund ta marrë fjalën. Do ju kërkoja të respektoni etikën. Një nga debatet më të rëndësishme që duhet të bëjmë është ajo që po bën bota mbledhje online, komisione, jo vetëm sa kohë është pandemia por edhe post pandemisë. Nuk do të ketë prani fizike pa një certifikatë vaksinimi.
Nga ana tjetër deputeti i PD-së, Edmond Spaho tha se kjo është marrëzi dhe se maxhoranca tregon se ka frikë nga debati.
Kjo që po bëni është një marrëzi e madhe. Në një kohë që po hapen shkollat dhe ndiqen fizikisht, e Kuvendi zhvillon seancë plenare me prani fizike ju insistoni që ta bëni punën online. Kjo tregon se keni frikë nga debatet.
Ndërsa nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka kërkuar në emër të opozitës hetim për rritjen e çmimit të bukës e miellit. Tabaku thotë se brenda 3 javëve duhet thirrur Autoriteti i Konkurrencës në një seancë dëgjimore, pasi sipas saj duhet transparencë se si çmimi i miellit e bukës u rrit brenda ditës.
Të thërrasim në seancë dëgjimore Autoritetin e Konkurrencës. Rritja e çmimit të bukës dhe miellit brenda 1 dite, marrja e një iniciative për hetim në treg pa dalë me konkluzion nga Autoriteti, dhe situata e krijuar na detyron ne si Komision të jemi të përgjegjshëm, për ata që na kanë votuar, të na prezantojnë çfarë ka ndodhur, situatën, pse është rritur çmimi. Autoriteti i Konkurrencës, të hetojë, dhe të ketë sugjerime, nga operatorët, besoj që deputetët e këtij komisioni kanë nevojë për transparencë.



