
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi në një takim me strukturat e LSI në njësinë 5 në Tiranë akuzoi kryeministrin Rama si përgjegjësin kryesore për situatën ku ndodhet vendi.
Në fjalën e saj, Kryemadhi theksoi se nën qeverisjen e Edi Ramës, tashmë shqiptarët e kanë humbur shpresën.
“Kjo është fatkeqësia më e madhe që mund ti ndodhë një kombi dhe faktikisht Shqipërinë e ka futur në këtë rrugë. Nuk dua të merrem më me të, nuk dua t’ia përmend më as emrin sepse i bëjmë nder duke i përmendur emrin, sepse është i vetmi njeri që kënaqet kur shikon fatkeqësi tek të tjerët“, tha Kryemadhi.
Me këtë deklaratë, Kryemadhi në mënyrë indirekte i përgjigjet ambasadorit të SHBA-ve në vendin tonë, Donald Lu, i cili një ditë më parë doli kundër PD dhe LSI lidhur me kërkesën për ndryshimet kushtetuese, duke thënë se Kushtetuta dhe ligji janë të qarta.
Kryemadhi i bëri thirrje të gjithëve që të dalin në protestë në datën 27 janar, jo për falmurin e LSI, por për atë të barazisë.



