Prokurorët italianë kanë hapur një hetim për pretendimet se disa shtetas italianë kanë udhëtuar në Bosnjë e Hercegovinë gjatë luftës së viteve 1992–1995 për t'iu bashkuar njësive snajperiste serbe dhe për të qëlluar mbi civilë për "argëtim".
Eksperti i sigurisë Ilir Kulla thekson që hetuesit i kanë emrat, ku mes tyre ka njerëz të përfshirë me ekstremin e djathtë në Itali.
“Italia heton për italianët e përfshirë. Mendohet se ata njerëz sot janë 60-70 dhe 80 vjeç. I kanë me emra. Është një ish-avokat që po hetojnë, pronar i një klinike kozmetike, dhe njerëz të përfshirë me ekstremin e djathtë në Itali, që kanë përkrahur serbët gjatë luftës në Bosnjë dhe në Kosovë”.
I pyetur nga moderatori Çani nëse ky mund të jetë një operacion psikologjik, Kulla thotë:
“Mundet, por ki parasysh që s’është kollaj të hapesh një hetim sepse hetimet kushtojnë. Fakti që kanë disa emra, dokumenta, disa njerëz që po hetojnë, tregon që është një ngjarje e madhe, s’është një ngjarje e vogël”.



