Gazetari Artan Hoxha, në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, komentoi mënyrën e trajtimit të të pandehurve në sallat e gjyqit dhe përdorimin e kafazit në proceset gjyqësore, përfshirë edhe rastin e ish-presidentit Ilir Meta.
Sipas tij, praktikat kanë ndryshuar ndër vite: fillimisht në Gjykatën për Krimet e Rënda përdorej kafazi me hekur, ndërsa me krijimin e SPAK u aplikua edhe kafazi me xham. Më pas, sipas tij, në disa rikonstruksione janë përdorur ambiente me xhama të blinduar, ndërsa në disa salla vijon përdorimi i strukturave me hekur.
Hoxha theksoi se në procese të mëparshme politikanët nuk janë futur gjithmonë në kafaz, ndërsa në kohët e SPAK, sipas tij, kjo është bërë praktikë më e zakonshme. Ai shtoi se një pjesë e mirë e të pandehurve, sipas tij, nuk paraqesin rrezikshmëri që ta justifikojë këtë masë dhe se brenda kafazit mungon edhe mikrofoni, duke vështirësuar komunikimin gjatë procesit.
Nuk kemi pasur kafaze deri në krijimin e Gjykatës për Krimet e Rënda; aty u vendos kafazi me hekur. Kur u krijua SPAK, u vendos kafazi me xham. Më pas, gjatë një rikonstruksioni të godinës, kjo sallë nr. 1 ka kafaz me xhama të blinduar, ndërsa sallat e tjera kanë kafaz me hekur.
Në proceset e mëparshme politikanët nuk kanë qenë gjithmonë të futur në kafaz, por që kur ka nisur SPAK, të gjithë janë futur në kafaz. Sipas meje, nuk duhet të jenë, sepse nuk përbëjnë rrezikshmëri dhe brenda kafazit nuk ka mikrofon, gjë që e bën të vështirë komunikimin. Megjithatë, në të mirë të procesit është e rëndësishme që të jetë avokati në krah.
Krahasimi me Kosovën apo Italinë tregon se atje nuk aplikohet ky lloj kafazi. Madje, edhe për autorët e sulmit në Banjskë nuk kam parë që të vendosen në kafaz; kjo është thjesht vendim gjykate.
Sa i përket transmetimit ‘live’, SPAK e ka praktikë të mos lejojë kamera brenda. Nëse GJKKO vendos që një proces të transmetohet live, kjo ende nuk ka ndodhur. Në këtë rast, transmetimi sot e ka dëmtuar Metën, sepse të gjithë po merreshin me pamjen e tij.



