Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, do të dalë të hënën para GJKKO në seancën e parë gjyqësore ndaj tij.
Me anë të një mesazhi në rrjete sociale, ai i kërkon gjykatës që të lejojë transmetimin live të të gjithë procesit.
Sipas tij, transparenca përpara qytetarëve shqiptarë dhe llogaridhënia është detyrim për çdo institucion dhe çdo funksionar publik.
Në respekt të qytetarëve shqiptarë dhe të gjithë bashkëkombasve, kudo që ndodhen, të cilëve u kam shërbyer me përkushtim, përgjegjësi maksimale dhe ndjenjë të thellë patriotizmi në detyrat më të larta shtetërore President i Republikës, Kryetar i Kuvendit dhe Kryeministër, i drejtohem sot Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesën publike për të garantuar transmetimin e drejtpërdrejtë (live) të të gjithë këtij procesi, nga seanca e parë, të hënën, më datë 27 prill 2026 dhe deri në fund.
Në funksion të informimit publik, të gjithë gazetarëve dhe mediave të interesuara duhet t'ju garantohet sinjali i transmetimit (live). Transparenca përpara qytetarëve shqiptarë dhe llogaridhënia është detyrim për çdo institucion dhe çdo funksionar publik!



