
Nesër më 4 maj, kancelari gjerman, Olaf Scholz do të pres në Berlin, në takime të ndara, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçic.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka konfirmuar se i dërguari i posaçëm i bllokut evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, do të jetë në Berlin më 4 maj, ku do të takohet me Kurtin dhe Vuçiç.
Me ftesë të kancelarit Scholz, emisari Lajçak do të udhëtojë gjithashtu në Berlin për t’u takuar me kancelarin dhe më pas për të zhvilluar një takim jozyrtar të veçantë me presidentin Vuçiç dhe kryeministrin Kurti.
Madje, ai tha se Lajçak do të ketë edhe takim të përbashkët me dy liderët.
Takimi shtoi ai, synon të mbështesë dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve.
Nëse realizohet, ky do të jetë takimi i parë mes Kurtit dhe Vuçiç që nga korriku i vitit të kaluar.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic u takuan për herë të parë më 15 qershor të vitit 2021 në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Takimi i dytë ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit ndodhi më 7 korrik 2021 dhe që atëherë nuk ka pasur takime të reja në nivel të lartë.



