
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati në një postim në mediat sociale ka bërë me dije se ai ka pasur një telefonatë me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.
Bushati shkruan ndër të tjera se Pompeo e kishte falënderuar për vendimin që kishte marrë Qeveria Shqiptare.
Në rrjetin social Twitter, shefi i diplomacisë shqiptare shkruan se gjatë bisedës nënvizoi gadishmërinë e Shqipërisë për të bashkuar forcat me vendet europiane për të mbrojtur sigurinë kundër të gjithë aktiviteteve të rrezikshme.
“Sapo pata një telefonatë me Sekretarin e Shtetit Pompeo, i cili falënderoi Qeverisë e Shqipërisë për lidershipin në marrjen e vendimit kundrejt praktikës diplomatike të papranueshme. Nënvizova se Shqipëria po bashkon forcat me ato të vendeve të tjera evropiane për të mbrojtur sigurinë evropiane kundër të gjitha veprimtarive keqdashëse të pushteteve të tjera“, shkruan Bushati.

Kjo telefonatë e Pompeo, erdhi pasi qeveria shpalli non-grata ambasadorin e Republikës Islamike të Iranit në Tiranë Gholamhossein Mohammadnia si dhe një zyrtar tjetër tjetër të ambasadës, pasi dyshohet se janë përfshirë në aktivitete që cenojnë sigurinë në vend.



