
Astrit Veliaj ka marrë sot mandatin e deputetit të PD-së për qarkun e Beratit, pas largimit të Eduard Halimit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur me 7 vota pro kalimin e mandatit te Veliaj.
Ky i fundit renditej i dyti në listën e PD-së për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit 2017. Por për shkak të parimit të barazisë gjinore, vendi vakant duhej të plotësohej me një kandidate femër. Dy kandidatet e listës hoqën dorë nga mandate, duke i hapur rrugën futjes së Veliajt në Parlament.
“KQZ i dha mandatin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë kandidatit të listës shumemërore të Partisë Demokratike në qarkun Berat, për plotësimin e vakancës së njoftuar nga Kuvendi i Shqipërisë”, njoftoi sot KQZ.



