
Në Shqipëri edhe pse kanë kaluar mbi tre dekada nga rrëzimi i regjimit komunist, ndarja me të shkuarën përbën sërish një sfidë për shoqërinë.
Rasti më i fundit, ai i ish-presidentit të Republikës Ilir Meta, që sipas një shkrese dërguar kuvendit nga Autoriteti për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit, figuron në dokumentet e krijuara nga ish-sigurimi, është shembulli më flagrant, që shoqëria shqiptare ende vazhdon të përballet në mënyrë të ashpër me të shkuarën, pa mundur ta zbardhë plotësisht dhe në mënyrë të besueshme atë.
Drejtuesja e Autoritetit për Informimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit Gentiana Sula, i tha Zërit të Amerikës, se në vijimësi i ka kërkuar Kuvendit ndryshime ligjore që sanksionojnë detyrimin e verifikimit të çdo kandidati për detyra të larta, por dhe personave që propozohen për dekorime dhe medalje.
Verifikimi mund të ndodhë, nga institucionet nga pushteti vendor nga partitë, por nuk është i detyrueshëm. Disa institucione i sjellin disa jo.
Dy partitë kryesore nuk i kanë sjellë kandidatët për verifikim, ndërkohë që i kanë sjellë partitë e vogla, të cilat nuk janë aq prezentë në parlament. Do ishte e udhës që të gjithë institucionet, partitë, dhe pushteti vendor të kalojë në filtrin tonë. Dhe propozimi ynë përmes vetëdeklarimit të kandidatëve për pushtetin vendor ose qendror në zgjedhje të jetë i detyrueshëm.
Institucioni më pas do marrë kohën e vet të bëjë verifikimin. Ajo që vihet re është se pavarësisht motivit për të cilin ne e zbatojmë ligjin dhe zbardhim dokumentet dhe informacionet ia japim publikut, natyrisht politika kërkon ta përdorë për interesat e veta.
Nga ana tjetër dhe media shpeshherë është sipërfaqësore dhe nuk shkon thellë në hulumtime. Media dhe politika na bëjnë sfidë, por ajo që bëjmë ne, zbardhja e dokumenteve, është një punë që e bëjmë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ne duam që publiku shqiptar të njohë të dhënat, të njohë kandidatët për detyra të larta dhe të votojë i lirë, i qetë dhe i informuar.
Të votojë për njerëz që janë ta pashantazhueshëm. Duhet kuptuar që pa informacion debati për të shkuarën nuk është i plotë .
Një prej mangësive serioze që has Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, sipas Zonjës Sula, lidhet me pengesën ligjore për të verifikuar personat që janë pajisur në të shkuarën me certifikatë pastërtie nga dy komisionet Mezini dhe Bezhani.
Këtu bën pjesë dhe rasti i ish-presidentit Meta. E vënë në lëvizje nga një indicie përmes, autoriteti pak kohë më parë i nisi një shkresë kuvendit, ashtu si dhe për 5 raste të tjera më herët, se ishte vënë në dijeni për ekzistencën e një dokumenti që e lidhte ish-krytarin e shtetit me ish-sigurimin e shtetit.
Autoriteti sugjeronte heqjen e nenit nga ligji për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, që ndalon verifikimin e personave të certifikuar nga dy komisionet e mëparshme. Verifikimi i para 20 viteve me atë tani, sipas kryetares së autoritetit Gentiana Sula, është më i saktë për shkak të një arkive më të plotë, si dhe mundësisë së një hulumtimi më të thellë si pasojë e modernizimit të saj.
Nga ana tjetër shumica e majtë ka dorëzuar në parlament dy nisma ligjore që përkojnë me propozimet e Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit.
Praktikisht bëhet fjalë për një ndërhyje në Kodin Zgjedhor ( kërkon shumicë të cilësuar 84 vota, që shumica e vetme nuk i ka) që detyron partitë të verifikojnë kandidatët për deputetë, kryetar bashkie dhe të këshillave vendor dhe vetë kandidatët të plotësojnë një formular vedeklarimi, si dhe shfuqizimin e nenit në Ligjin për të Drejtën e Informimit mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, që ndalon verifikimin e personave që kanë marrë certifikatë pastërtie nga dy komisionet e mëparshme qe ushtruan aktivitetin e tyre në vitet 90.
Krahas propozimeve të shumicës edhe PD ka paraqitur në kuvend një projektligj për deklasifikimin e dosjeve të sigurimit të shtetit, nga viti 1944-1990.



