
Përfaqësuesi special i Bashkimit Europian për dialogun Prishtinë-Beograd Miroslav Lajçak dhe e zëvendësndihmës sekretari Gabriel Escobar, kanë mbajtur një konferencë për shtyp, në lidhje me vizitën që e kanë zhvilluar për dy ditë në Kosovë, teksa janë takuar me krerët më të lartë të shtetit dhe ata partiak.
Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak, ka thënë se vizita e përbashkët me Escobarin, dëshmon bashkëpunimin që ka SHBA me BE.
Ai ka thënë se të dyja palët duan që Kosova dhe Serbia ta lënë të kaluarën prapa dhe t’i normalizojnë marrëdhënieve.
“Ne e shohim dialogun si prioritet kyç në Ballkanin Perëndimor dhe besojmë që normalizimi i marrëdhënieve jo vetëm që do të zgjidh çështjet e pazgjidhura, por do të kontribuojë në stabilitetin në rajon por do të sjellë përfitime për qytetarët. Do të krijojë vende punë, do ta zhvillojë ekonominë. Dy ditët e kaluara kanë qenë shumë produktive. E kemi bërë të qartë se ne e respektojmë parimet e Kosovës në dialog. Ne po ashtu kemi thënë se ne kemi pritur progres më të shpejtë në dialog vitin e kaluar por shpresojmë që të jetë kështu këtë vit”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se kanë të gjitha elementet që të presin një dialog më të shpejtë.
Ndërsa përfaqësuesi Special për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar ka thënë se vizita e tij në Kosovë dëshmon përkushtimin e SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, teksa pret që zgjidhja të përfundimtare të jetë në të mirë të të dyja palët.
“Pikë së pari mendoj si rol është me rendësi të bëjë vizitën e parë në Kosovë për të treguar përkushtimin tonë sa i përket dialogut. Në fund shpresojmë që rezultat do të jetë një zgjidhje që do të jetë e mirë si për Serbinë poashtu edhe Kosovën”, ka thënë ai.
I dërguar i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se Kosova meriton liberalizimin e vizave.
“Kosova meriton liberalizimin e vizave.. Komisioni Evropian ka thënë qartë se Kosova ka plotësuar kushtet, por kjo kërkon konsensus të 27 shteteve.. Vërtetë shpresoj që nuk do të marrë shumë kohë deri në liberalizimin e vizave”, tha ai.
Referuar çështjes së Asociacionit, Esocobar dhe Lajçak kanë ritheksuar se marrëveshjet e arritura në Bruksel duhet të zbatohen.
Përfaqësuesi special i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë se sa i përket çështjes së Asociacionit nuk duhet të ekzistojnë modele që rrezikojnë sovranitetin e Kosovës
“Nuk jemi pjesë e dialogut e as negociatave, por marrëveshjet paraprake duhet zbatuar. Nuk kemi ardhur me propozime të shkruara as nuk duam të imponojmë diçka, por dy vendet duhet të kenë vizione të qarta. Do të punojmë brenda kornizës së procesit të dialogut. Qëndrimi ynë sa i përket krijimit të Asociacionit; nuk duhet të ekzistojnë modele që rrezikojnë sovranitetin e Kosovës. Nuk është qëndrim i SHBA-së për të imponuar diçka për të dy palët, por ne mund të ndihmojmë”, u shpreh Escobar.
Ndërkaq Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak ka potencuar se çështja e Asociacionit ishte pjesë e diskutimeve me krerët e shtetit në Kosovë.
“Vazhdimisht është çështje e pranishme në diskutimet tona. Kosova është palë e plotë në dialog, është 50 përqind e dialogut dhe duhet të ketë një dakordim nga pala e Kosovës. Sa i përket krahasimit me republikën serbe, kam thënë se askush nuk dëshiron republikë serbe, por ato marrëveshje që janë arritur duhet të zbatohen. Këtë e kam thënë edhe në takime. Nuk ka asnjë arsye që ju të jeni të frikësuar sepse ne jemi këtu që të sigurojmë që çdo marrëveshje që arrihet të jetë në përputhje me standardet evropiane”, u shpreh Lajçak.



