Politikani nga Danimarka, Peter Sorensen, është konfirmuar nga ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian (BE) si përfaqësues i posaçëm për dialogun e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ky konfirmim ka ardhur pas miratimit nga ambasadorët dhe kryediplomatët e BE-së, dhe Sorensen do të nisë mandatin e tij më 1 shkurt, pas përfundimit të mandatit të Miroslav Lajçakut, që skadon më 31 janar.
Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë, Kaja Kallas, zgjodhi Sorensen për ta zëvendësuar Lajçakun në këtë post. Kjo zgjedhje është një sinjal i fortë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë mbetet një prioritet i lartë për Bashkimin Evropian.
Sorensen ka përvojë të gjatë diplomatike në strukturat e BE-së. Ai aktualisht është Këshilltar i lartë në Shërbimin e Veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) për diplomaci digjitale.
Gjatë karrierës së tij diplomatike në BE, Sorensen ka ushtruar disa detyra në Ballkanin Perëndimor. Ka shërbyer si përfaqësues i posaçëm i BE-së për Bosnje e Hercegovinë dhe shef i zyrës së BE-së në Sarajevë. Po ashtu ka qenë edhe shef i delegacionit të bllokut evropian në Shkup.
Më herët, Sorensen ka punuar si këshilltar edhe në Kosovë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa ka qenë edhe përfaqësues i posaçëm i përfaqësuesit të lartë të BE-së në Serbi.
Kjo përvojë e thellë e Sorensens në rajon është një nga arsyet që Kaja Kallas ka vendosur që ai të jetë pasardhësi i Lajçakut, me synimin për të vazhduar përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ndryshe, gjatë mandatit gati pesëvjeçar të Lajçakut, Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve.
Gjatë procesit janë arritur disa marrëveshje, por pak prej tyre janë zbatuar në terren.



