
Kreu i komisionit të Ligjeve Ulsi Manja, ka folur për zgjedhjen kryeprokurorit të ri, pasi mandati i Adriatik Llallës ka përfunduar më datën 7 dhjetor.
Sipas deputetit socialist, kandidati apo kandidatët që do të zgjidhen për tu votuar si prokuror të përkohshëm të përgjithshëm do t’i nënshtrohen procesit të Vettingu.
Gjatë një prononcimi për mediat për këtë proces, Manja u bëri thirrje të gjithë profesionistëve të sistemit që të bëhen sa më shpejtë pjesë e kësaj gare, pasi afati skadon në 12 dhejtor.
"Do t’i bëj një thirrje gjithë profesionistëve të sistemit, pra prokurorëve që plotësojnë kushtet dhe kriteret e përcaktuara në ligj të bëhen pjesë e kësaj gare. Afati skadon më 12 dhjetor në orën 18:00. Ne do të bëjmë publike listën e kandidatëve për këtë detyrë dhe menjëherë do të caktojmë datën dhe orën e seancës dëgjimore për të gjithë kandidatët. Komisioni ka dy ditë të tjera kohë për të bërë vlerësimin e kritereve për secilin kandidat. Sigurisht, edhe kryeprokurori i përkohshëm do t’i nënshtrohet me përparësi vettingut, njësoj si kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë", deklaroi Manja.



