
Qeveria ka miratuar një vendim të ri që parashikon kalimin e Pallatit të Kongreseve në pronësi dhe administrim të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Ky vendim vjen pas miratimit paraprak të Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe konsiderohet pjesë e një projekti të rëndësishëm për zhvillimin e infrastrukturës publike dhe kulturore në kryeqytet.
Pavarësisht se godina gëzon statusin e monumentit të kulturës, ekziston mundësia që Pallati i Kongreseve të prishet për t’i hapur rrugë ndërtimit të kullave të reja, çka ka ngjallur shqetësim mes qytetarëve dhe komunitetit të artistëve.
Pallati i Kongreseve u ndërtua fillimisht për organizimin e kongreseve të Partisë së Punës, si dhe për festivale dhe aktivitete të tjera artistike. Punimet për ndërtimin e tij nisën në vitin 1982 dhe përfunduan në vitin 1986, duke përfshirë disa nga ndërmarrjet më të mira të kohës.
Që prej ndërtimit, godina është përdorur si një hapësirë shumëfunksionale për evente kulturore, koncerte, festivale, aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare, një funksion që ka vijuar të ruajë për më shumë se tre dekada.
Në pritje të sqarimeve zyrtare mbi fatin e saj dhe mbi projektin që do të pasojë, mbetet e paqartë nëse objekti do të ruhet, restaurohet apo shembet për t’i lënë vend zhvillimeve të reja urbane.
V E N D I M
PËR
NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA BASHKIA TIRANË TE MINISTRIA E EKONOMISË, KULTURËS DHE INOVACIONIT, TË PASURISË ME NUMËR 7/74, NË ZONËN KADASTRALE 8160, TIRANË, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.834, DATË 13.12.2006, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Bashkia Tiranë te Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, të pasurisë me numër 7/74, në zonën kadastrale 8160, Tiranë, sipas planit të rilevimit, bashkëlidhur këtij vendimi, në funksion të realizimit të projektit të investimit “Rivitalizimi i Pallatit të Kongreseve”.
2. Prona e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, i hiqet listës së inventarit të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, bashkëlidhur vendimit nr.834, datë 13.12.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së pjesshme të inventarit (pjesa e parë + pjesa e dytë) të pronave të paluajtshme shtetërore në Bashkinë Tiranë, të Qarkut të Tiranës”, të ndryshuar.
3. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Bashkia Tiranë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU



