
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, shpreh bindjen se Kavaja do të jetë në krye të fitores së 14 majit, duke e quajtur djepin e demokracisë dhe të ndryshimit.
Ai thotë se Kavaja nuk mashtrohet, pasi ky qytet ka marrë vendimin përfundimtar, të votojë ndryshimin, të shpëtojë Kavajën nga kthetrat e mafies më të rrezikshme që ka njohur vendi në këto 30 vite.
Kavaja ishte e para, që u çlirua me gjakun e Josif Budës, heroizmin, trimërinë e burrave dhe grave të saj në vitin 1991. Kavaja do të qëndrojë në krye të fitores edhe kundër këtij monizmit të ri.
Tradita juaj më e shkëlqyer është liria. Ju jeni faktuar si njerëz me ideale, me vlera, me besime të palëkundura. Sot Shqipëria është në njërin prej pushtimeve më të egra.
Pushtues janë edhe ata që shkelmojnë mbi vlerat, mbi liritë dhe të drejtat e qytetarëve të tyre, ata që plaçkisin qytetarët e tyre.
Askush gjer më sot në historinë e këtij vendi nuk ka plaçkitur më shumë se regjimi i Edi Ramës, regjim që ka grumbulluar të gjitha pushtetet në duart e tij.
Në këtë fushatë, ne bëmë gjithçka të rivendosim qytetarin në piedestalin e nderit që meriton. Kandidatët tanë janë të votuarit tuaj.
Krahas tyre ju keni parë rivalet e tyre që fshihen si miu ndaj qytetarëve, të cilët nuk vijnë dot këtu apo në studio televizive të debatojnë, të paraqesin alternativën, të dëshmojnë se çfarë do bëjnë për ju në katër vitet që vijnë dhe se çfarë bënë katër vitet që shkuan.
Programi i tyre është për Edi Ramën dhe xhepat e tyre.
Sipas tij, Edi Rama nuk vjen dot të dalë para qytetarëve, sepse ka tetë vite, e nisi karrierën pasi u akuzua nga OSBE se u ka vjedhur shqiptarëve 200 milionë euro dhe nuk e kundërshtoi dot.
Vazhdoi i pangopur të firmosë 420 milionë euro djegësat që nuk ekzistojnë kurrë. Vazhdoi i pangopur të rrënojë portin e Durrësit.
Vazhdoi i pangopur të udhëtojë me avion në dispozicion me dhomë gjumi dhe të shpenzojë 22 milionë euro.
Berisha shigjetoi kryebashkiakun e Tiranës duke thënë se nuk ka burrë në moshë të Erion Veliajt që ka vjedhur sa ai.
Një kryetar që thotë se mbolla 1 milionë fidanë, por vodhi faturën e 1 milion fidanëve. Një hajdut që thotë se ndërtova 40 shkolla, ndërkohë që kur i numëron, ka ndërtuar 12 shkolla, por ka vjedhur fonde për 40 shkolla.
Erion Veliaj është një turp jo vetëm për rrugët e Tiranës, jo vetëm për rrugët e Kavajës, por është turp kudo që ecën. Dhe vjen këtu për të rrëmbyer votat e Kavajës.
Erion, larg duart nga Kavaja! Kavaja nuk shitet dhe nuk blihet kurrë. Kavaja është qyteti, vendi i burrave dhe grave me virtyte, me moral të lartë, me ideale fisnike.
Kavaja, me 14 maj do firmosë ndryshimin. Kavaja është e vendosur të rikthejë pluralizmin.
Kurse, Edi Ramën e pret miku i tij, tradhtari i kombit amerikan, McGonigal. Socialistë të Kavajës, larg tij se dita erdhi dhe ai do shkojë në burg me McGonigal.



