Në MCN Live, avokati Rezart Kthupi ka komentuar zhvillimet brenda Partisë Demokratike dhe procesin për zgjedhjen e kreut të saj, duke ngritur kritika të forta për mënyrën se si po zhvillohet gara dhe përjashtimin e disa figurave nga kandidimi.
Sipas Kthupit, në Partinë Demokratike “prej kohësh ekzistojnë vetëm idetë e Sali Berishës”, ndërsa procesi aktual nuk përbën një garë të mirëfilltë politike.
Nuk ka garë, ka një procedurë e cila do të përfundojë me një rezultat që e dinë të gjithë me fitoren e Sali Berishës.
Mendoj se e gjithë kjo procedurë, 24 orë para se të mbaronte afati i mospranimit të dokumentacionit, tregon që qëllimi nuk është rezultati i zgjedhjes, por mbyllja e mundësisë për kandidim të ligjshëm.
Fakti që kandidatët rivalë të Berishës nuk gjetën mekanizmin për të depozituar dokumentacionin tregon një mbyllje përfundimtare jo vetëm të procesit politik, por edhe ligjor.
Ai shtoi më tej se situata aktuale po e deformon funksionimin e Partisë Demokratike si subjekt politik.
Nuk ka një mekanizëm të brendshëm në PD që prodhon objektiva apo mendim politik. Nuk është më një parti politike reale. Partia Demokratike është e ngrire aty nuk ka më asnjë mendim përveç ideve të Berishës.
Kthupi komentoi gjithashtu edhe mundësinë e zhvillimit të një referendumi brenda partisë, duke theksuar se çdo hap që anashkalon statutin e PD-së e delegjitimon procesin e brendshëm zgjedhor.



