
E ftuar në MCN TV, Arbërie Nagavci, pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, partia që fitoi zgjedhjet në Kosovë, foli për mbledhjen e sotme të kryesisë së Kuvendit, por edhe të partisë ku ajo aderon. Ajo tha se Lëvizja Vetëvendosje i ka siguruar numrat për të formuar qeverinë, ndërsa nuk dha asnjë emër kur u pyet për drejtuesit e posteve kryesore, por edhe të kryeparlamentarit.
“Sot ishte mbledhja e kryesisë së Kuvendit. Kryesia e LVV pati mbledhjen gjithashtu dhe u diskutua për formimin e qeverisë dhe punën që na pret. Janë diskutuar disa nga emrat e mundshëm për postet në fjalë, por këtë vendim do ta marrë zoti Kurti sepse është e natyrshme që kryeministri në ardhje duhet të ketë rehati. Do të sigurohemi që të jenë njerëz me kredenciale, me vlera morale. Nuk ka ende vendime, por deri në fund të javës do të bëhen publikë.
Me datë 22 mars do të konstituohet Kuvendi. Pastaj do të bëhet betimi i qeverisë. Për qeverinë duhen 61 vota dhe ne kemi 58. Dy deputetë të tjerë janë bindur të bashkohen me ne dhe dy të tjerë janë nga minoritetet, jo serbe. Me 5 maj mbaron afati i presidentes aktuale dhe ne do kryejmë të gjitha detyrat që ta kemi të ligjshme”, u shpreh Nagavci.



