
Ka përfunduar takimi trepalësh në mes të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç si dhe ndërmjetësit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.
Lajçak fillimisht ka pritur në takim kryenegociatorin serb, pastaj delegacionin kosovar të udhëhequr nga zëvendëskryeministri Bislimi.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviç dhe të Dërguarin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, ka thënë se takimi ka përfunduar pa rezultat në tema të rëndësishme.
S’ka rezultate në pikën rreth ecjes përpara në normalizim të raporteve. Serbia po insiston edhe më tutje në implementim të pjesshëm, sipas idesë ‘ne bëjmë diçka ju bëni diçka’.
Por, ai ka theksuar se ka pasur edhe disa lëvizje pozitive, teksa a ka përmendur që ka pas një dakordim që të themelohet një grup punues i cili do t’i harmonizojë 20 veterinarë që përdoren në kalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë dhe të kërkohet që inspektorët sanitarë të vendosen në mënyrë të përhershme tek pikëkalimi kufitar me Serbinë, Dheu i Bardhë.
“U njoftuam nga Lajçak që ka premtime të mëdha në Beograd që deri në fund të muajit të ardhshëm të lëshohen linjat e interkonjeksionit, që ka qenë pjesë e marrëveshjes së energjisë”, ka potencuar ai.
Zëvendëskryeministri Bislimi ka thënë po ashtu se Serbia nuk ka hyrë fare në diskutimin për planin e sekuencimit të marrëveshjeve bazë.
Ndërkaq sa i përket themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Bislimi theksoi se nuk mund të ndodh kjo pa pasur zbatim të Marrëveshjes Bazë.
Ky është takimi i parë trepalësh në kuadër të procesit të dialogut pas më shumë se tre muajve. Dy kryenegociatorët kanë qëndruar në korrik dhe shtator në Bruksel, por nuk kanë pranuar takim sy më sy.
Takimet e së enjtes në Bruksel ishte paralajmëruar se do të fokusoheshin te zbatimi në mënyrë urgjente të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, më 18 mars 2023) dhe te nevoja që të dyja palët të pajtohen për përparim në dialog.



