
Në orën 13:00 të ditës së sotme zhvillohet mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike.
Gazetari i MCN Live, Mariglen Kume, bën të ditur për "MCN live" se një nga temat kryesore të diskutimit pritet të jetë skenari i mundshëm i bojkotit parlamentar nga deputetët e opozitës.
Sipas informacioneve nga burime brenda partisë, ideja e bojkotit është hedhur në tryezë pas tensioneve të fundit në Kuvend, ku mazhoranca refuzoi kërkesat e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore për çështjen “McGonigal” dhe për fondet IPARD.
Ky vendim u pasua nga braktisja e sallës nga opozita dhe një debat i brendshëm mbi mënyrën e reagimit.Në mbledhjen e grupit parlamentar, shumica e deputetëve janë shprehur kundër bojkotit, duke e konsideruar Parlamentin si dritaren e vetme për të përballur mazhorancën.
Megjithatë, kjo çështje është lënë për diskutim në Kryesinë e PD-së, ku do të peshohen të gjitha opsionet: bojkoti total, pjesëmarrja e kushtëzuar, apo zbarkimi në bazë për një aksion më të gjerë politik.
Krahas debatit për qëndrimin në Kuvend, në mbledhjen e sotme pritet të shqyrtohet edhe raporti i OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet e 11 majit, me fokus tek problematikat e evidentuara dhe rekomandimet për përmirësimin e proceseve zgjedhore në të ardhmen.
Pas përfundimit të mbledhjes, pritet që PD të japë një deklaratë zyrtare për mediat, ku të bëhet e qartë nëse bojkoti do të jetë një opsion real apo thjesht një presion politik ndaj mazhorancës.



