
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, e nisi ditën e parë të detyrës me gjendjen e qytetarëve shqiptarë përballë situatës së sigurisë në rajonin e Lindjes së Mesme.
Hoxha drejtoi ditën e sotme një takim të shtabit të posaçëm të ngritur në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, me ekipin drejtues dhe Ambasadorët e Shqipërisë në Lindjen e Mesme, të cilët po ndjekin në mënyrë të pandërprerë çdo zhvillim në rajon.
Në një reagim në rrjetin social X, Hoxha theksoi se “Siguria dhe mirëqenia e shtetasve shqiptarë mbeten përparësi absolute”.
Përfaqësitë tona diplomatike, sipas ministrit, janë në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët shqiptarë dhe pranë kujtdo që ka nevojë për informacion, këshillim dhe asistencë.
Strukturat e Shërbimit të Jashtëm, në bashkëpunim me institucionet e tjera, janë në gatishmëri të plotë për të marrë çdo masë të nevojshme në varësi të zhvillimeve në vendet e prekura dhe për t'iu përgjigjur përshtatshmërisht çdo situate.



