
Drejtues Politik i Elbasanit, Gazment Bardhi, u takua me banorët e Xibrakës në Cërrik, me të cilët ndau shqetësimet e krijuara në 8 vite qeverisje nga Rama. Ai e cilësoi të papranuehsme kthimin mbrapa të fshatit, ku diskutohet buka e gojës në kuptimin e parë të fjalës, për shkak të braktisjes së qeverisë. Bardhi u shpreh se varfëria, braktisja dhe lënia në skamje e fshatit ka qenë një politikë e qëllimshme e qeverisë.
Drejtuesi Politik i PD theksoi mesazhin se këto zgjedhje nuk janë një luftë mes demokratëve dhe socialistëve. Por janë një betejë kundër padrejtësive dhe qeverisjes për 10 veta e nëpërkëmbjes së shumicës së njerëzve.
Këto zgjedhje nuk janë PD apo PS. Prandaj, ne kemi një përgjegjësi të madhe të gjithë bashkë, përgjegjësia e parë është e juaja me datë 25. Para se të votojmë, secili nga ju të bëjë llogaritë e shtëpisë së vet dhe do të duhet që atë ditë të votojë për shtëpinë e vet, jo me flamuj partish, edhe një socialist do të duhet të bëjë llogarinë e shtëpisë së tij, jo llogaritë e Edi Ramës, as llogaritë e partisë, do të duhet të mendojë jetën e tij, fëmijët e vet, do të duhet të mendojë a do të qëndrojë dhe 4 vite të tjera kështu apo duhet me ndryshuar.
Ai vuri në dukje se përgjigjet për këto dilema që kanë qytetarët janë të qarta dhe ai i ka dëgjuar në çdo takim.
Do të duhet që në datë 25 gjithsecili prej nesh të shkojë të votojë. Vendimi që kemi për të marrë është nëse duam të rrimë kështu siç jemi në vend numëro, apo nëse duam të ndryshojmë të ecim përpara. Alternativën e keni, është numri 9, Partia Demokratike. Ky është shansi i fundit për të gjykuar të gjithë bashkë nëse jetohet apo jo në Shqipëri, prandaj nuk na lejohet as t’u zhgënjejmë dhe as të shkelim besimin që secili prej jush do na japë në datë 25.



