
Kryedemokrati Sali Berisha akuzoi Kryeministrin Edi Rama, se gjatë takimit të sotëm me efektivët e policisë foli si narkobandit dhe xhelat.
Në një komunikim për mediat, ai deklaroi se Edi Rama me gjuhën e një narkobanditi ordiner, përdori çdo etiketë kundër të rinjve, që sipas tij janë në një mision të çlirimtar të një populli nga diktatura më e egër që ai ka njohur në histori, nga diktatura e bazuar në drogën, krimin dhe vjedhjen e qytetarëve.
Sipas tij, Edi Rama i quajti studentët dhe gjimnazistët të pashkollë, i quajti injorantë, i quajti njerëz të gurit, i quajti dhe terroristë.
Bëri gjithçka për të krahasuar këtë revoltë çlirimtare për Shqipërinë dhe shqiptarët me ANTIFA-n, duke krahasuar veten me Macronin dhe burra shteti të tjerë. Ky është një birbo, ky është një diktator i pacipë, i pafytyrë, i pamoral. Asnjë nga kryetarët e shteteve që citoi nuk ka përzënë në 10 vite nga vendi mbi 50 përqind të të rinjve të vendit të tij me politikat e ndjekura.
Asnjë nga kryetarët e shteteve që përmendi nuk ka përzënë nga vendi i tij mbi 47% të popullit të tij. Asnjë nga shtetarët që përmendi, dhe duhej të lante gojën kur i përmendte, nuk ka mjeruar në 10 vite popullin e tij dhe shndërruar ekonominë e vendit në ekonominë më të konsoliduar të drogës në Evropë dhe në botë. Asnjë! Edi Rama dëshmoi me fjalën e sotme se ai është po aq larg shqiptarëve dhe problemeve të tyre sa ç’ishte diktatori marksist leninist Enver Hoxha.
Në vijim ai iu bëri thirrje forcave të rendit që të mos mbrojnë Edi Ramën, për të cilin tha se ka zhytur institucionet e shtetit në drogë dhe krim.
Por unë jam këtu për t’u bërë thirrje punonjësve të policisë shqiptare, mos mbroni një njeri i cili ka përzënë nga vendi i tij pothuaj gjysmën e shqiptarëve me varfërinë që ka krijuar.
Mos mbroni njeriun që ka zhytur institucionin e tij dhe institucionet e tjera të shtetit në drogë dhe krim. Mos mbroni njeriun që ka përvetësuar dhe vjedhur miliarda e miliarda euro nga taksat dhe djersa juaj dhe e qytetarëve. Mos mbroni një regjim që është sjellë më keq se çdo pushtues me shoqërinë shqiptare.



