
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka dorëzuar në Gjykatë kërkesën për të urdhëruar kryeministrin e vendit, Albin Kurti, të paraqitet në PSRK për të dhënë dëshminë në cilësinë e dëshmitarit lidhur me rastin e rezervave shtetërore.
Kërkesa për lëshimin e këtij urdhri është dorëzuar javën e kaluar.
Nëse Gjykata e aprovon këtë kërkesë, kryeministri Kurti duhet të paraqitet vullnetarisht për të dhënë dëshminë.
Në rast të kundërt, sipas ligjit, ai mund të përballet me një gjobë, dhe pas kësaj mund të paraburgoset.
Nëse urdhri i Gjykatës lëshohet, Kurti do të duhet të paraqitet vullnetarisht në objektet e PSRK-së, por nëse nuk e bën këtë, urdhri do t’i dorëzohet Policisë, e cila duhet ta ekzekutojë atë dhe ta sjellë Kurtin për të dëshmuar.
Mësohet se veprimet procedurale mund të nisin në javën e parë të marsit, nëse Gjykata miraton kërkesën.
Kryeministri i Kosovës është thirrur nga Prokuroria për të dhënë versionin e tij në lidhje me rastin e rezervave shtetërore, ku të dyshuar janë afaristi Ridvan Muharremi dhe disa zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, përfshirë Irfan Lipovicën dhe Hafiz Garën.
Po ashtu, e dyshuar është edhe ministrja Rozeta Hajdari, e cila ka dhënë dëshminë si e dyshuara.
Më herët Prokuroria ka dërguar tri ftesa për kryeministrin Albin Kurti, por asnjëherë nuk ka marrë përgjigje pozitive nga ai.



