
Kryedemokrati Sali Berisha ka shigjetuar ambasadoren amerikane në ikje, Yuri Kim në fjalën e tij në parlament, teksa e cilësoi si guvernatorja që po largohet nga Shqipëria. Ai kërkoi që Kim t’u kërkojë falje shqiptarëve, për qëndrimet e mbajtura në vendin tonë. “Ftesa ime nuk ka lidhje me ndonjë rivendikim timin, por ka lidhje thjeshtë për ti thënë asaj të nderuar që të kthehet tek e vërteta para se të largohet nga Shqipëria. Në prag të largimit nga Shqipëria, duhet ti them zonjës guvernatore se në historinë e pluralizmit dhe lirisë së këtij kombi, emri i saj do të mbetet i gdhendur si i një personi që abuzoi me pushtetin e përfaqësimit të vendit të vet dhe që së bashku me Edi Ramën, bëri gjithçka për të shkatërruar opozitën e vërtetë shqiptare, natyrisht, e dëmtove, por dështove.” Në vijim Berisha tha se me qëndrimet e saj dhe bashkërendimin me qeverinë e narkotrafikantëve të Edi Ramës, është vetmja ambasadore në 32 vite që largohet nga ky vend e cilësuar gjerësisht si sekretare e Partisë Socialiste. “Së treti mendoj se këto pak ditë apo orë që kanë mbetur, kërkoju ndjesë shqiptarëve për McGonigal, jo vetëm për sintoninë e veprimeve tuaja kundër opozitës shqiptare, por se në njërin nga skandalet më të mëdha të kohërave, nuk shqiptove, nuk u the atyre, një fjalë të vetme për këtë skandal duke i shumëzuar kështu në mënyrën më të pamerituar me zero, si shoqëri dhe si komb. Së fundi, si një admirues, i palëkundur i vendit të madh të lirisë, SHBA, më duhet të shpreh keqardhje të thellë se, ju të vetmin ‘sukses’ që merrni me vete është dëmtimi thelbësor me qëndrimet tuaja të reputacionit të shkëlqyer që kanë pasur dhe përsëri do të ketë, kombi dhe vendi i madh i lirisë në Shqipëri.”



