Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet lidhur me rënien e ueb-faqes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) gjatë ditës së zgjedhjeve, pas informacionit për mundësinë e abuzimeve dhe keqpërdorimit të votave.
Kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi, njoftoi se Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës për të ndërmarrë veprime hetimore në bashkëpunim me institucionet kompetente.
Prokuroria në Prishtinë ka autorizuar që Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, të ndërmarrë veprime apo masa hetimore për secilin abuzim apo keqpërdorim të votave pas rënies së ueb-faqes së KQZ-së.
Gjithashtu, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se, pas rënies së ueb-faqes së KQZ-së më 9 shkurt, Prokuroria ka kërkuar informacione nga ky institucion për të vërtetuar nëse ka elemente që mund të çojnë në dyshime për kryerjen e ndonjë vepre penale.
Përgjatë ditës së zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka pranuar se ka pasur probleme me uebfaqen, ku publikohej informacioni mbi rezultatet zgjedhore preliminare.
Për këtë arsye, të dhënat janë mbledhur manualisht dhe më pas janë publikuar në faqen zyrtare të KQZ-së. Hetimet për këtë çështje janë ende në vazhdim për të verifikuar nëse ka pasur ndonjë veprim të paligjshëm që mund të ketë ndikuar në procesin zgjedhor.



