Ministria e Arsimit dhe Sportit zhvilloi gjatë muajit maj, konkursin për përcaktimin e teksteve të filozofisë në shkollat e mesme. I gjithë procesi u ndoq nga ministrja e asaj kohe, Lindita Nikolla, e cila ishte në ditët e fundit të mandatit, për t’u zëvendësuar nga ministrja teknike, Mirela Karabina.
Por, Prof.Dr.Gjergj Sinani e quan një skandal gjithë konkursin, i cili sipas tij u bë në fshehtësi të plotë dhe mungoi transparenca e përzgjedhjes së teksteve.
Në intervistën dhënë për dritare.net, profesori akuzon ish-ministren Lindita Nikolla, se e përdori konkursin për përfitime vetjake duke siguruar financime nga tre shtëpitë botuese. Sipas tij, këto tekste të miratuara nga znj. Nikolla formojnë skllevër të mirë për pushtetin, por jo qytetarë të denjë.
Profesor Sinani është një prej intelektualëve më të mirënjohur në fushën e filozofisë, ka punuar si pedagog në Fakultetin e Shkencave Sociale, që prej vitit 1982. Është titullar i disa lëndëve në Departamentin e Filozofisë, si edhe autor i disa teksteve për shkollat e mesme. Ai, mori pjesë në konkurs me botimin “Filozofia11”, por nuk arriti të fitojë.
Sipas, profesor Sinanit, një prej problemeve më të rënda është se autoret që kanë fituar, nuk kanë asnjë artikull dedikuar filozofisë dhe fusha e tyre e studimit nuk përfshin shkencën e filozofisë. Ndër të tjera, tekstet që kanë fituar kanë probleme të mëdha në përmbajtjen e tyre.
Përse e quani konkursin e përzgjedhjes së tekstit të filozofisë për shkollat e mesme një skandal?
Është një skandal sepse, fillimisht janë shkelur ligjet dhe parimet e demokracisë. Pa transparencë nuk ka demokraci dhe i gjithë ky proces është bërë në fshehtësi.
Ligji e detyron që ky katalog të mos firmoset, pa u bërë transparenca e ankesave që kanë bërë shtëpitë botuese. Ndërkohë përgjigja e ankesave ka ardhur në 2 qershor. Së dyti, parimi bazë i shoqërive të lira, është që dinjiteti duhet të jetë mbi gjithçka dhe autoritetet civile janë që të respektojnë këtë dinjitet. Ndërkohë këta kanë zgjedhur tekste që vetëm qytetarë nuk formojnë. Ato mund të formojnë skllevër të mirë për pushtetin, por jo qytetarë. Regjimet totalitare duan të ndërtojnë sisteme edukative që përgatisin skllevër të mirë. Kurse regjimet demokratike duhet të luftojnë që të dalin qytetarë të mirë.
Ato tekste që kanë fituar, të firmosur nga znj.Nikolla në datën 22 maj, janë për të vajtuar. Nga të gjitha aspektet, mosrespektimi i programit, gabimet konceptuale etj. Madje ato që kanë fituar janë mësues në shkolla të mesme dhe nuk kanë një artikull mbi filozofinë. Kjo është një tallje, me njerëz që nuk kanë përvojë në këtë pjesë dhe e provojnë dorën për herë të parë. Këto tekste janë miratuar, madje në dijeninë time, ka filluar edhe shpërndarja e tyre.
Këta e kanë bërë konkursin jo në bazë të autorëve, por, në bazë të shtëpive botuese.
Fakti që Ministria nuk do ta bëjë transparente sesi i ka përzgjedhur tekstet, si i ka zgjedhur njerëzit, apo komisionet, tregon që në gjithë këtë histori ka diçka të dyshimtë. Kur janë kaq të pastër, pse tremben autoritet ta bëjnë publike?!
Çfarë përmban programi?
Ai program përmban broçkulla, të cilat vetëm një mendje e sëmurë mund ta ndërtojë. Në program ishte theksuar me bold, “Të vërtetat fetare të librave të shenjtë, ritet dhe praktikat fetare që institucionet fetare dhe besimtarët zbatojnë, nuk mund të jenë as të detyrueshme dhe as objekt diskutimi dhe debati në procesin mësimor-edukativ në arsimin publik. Si burim referimi për të vërtetat fetare mund të shërbejnë librat e shenjtë fetarë dhe burimet filozofike, fetare enciklopedike me autoritet të njohur ndërkombëtar dhe jo çdo burim i pacertifikuar”.
Por, shkolla është vend diskutimi. Cili autoritet ia heq shkollës këtë të drejtë? Në shkollë nuk mësohet dogmatika. Kush do t’i certifikojë burimet e informacionit? Nga i di ky të vërtetat fetare? Agim Leka, këshilltari i ish-ministres Nikolla, kujton se është ende sekretar i propagandës në komitetin e partisë së Elbasanit.
Ju keni thënë se përzgjedhja e teksteve shkollore drejtohet nga një njeri mediokër. Cili është?
Përfshihen shumë aktorë atje, por unë e kam me këshilltarin , Agim Leka, i cili ka dalë në media dhe ka mbrojtur këtë program të Altertekstit. Para disa kohësh ai na dërgoi një udhërrëfyes në emër të MAS se si të bëhet mësimi i fesë në shkollë. Të cilin unë e kam hedhur poshtë sepse është një material tepër skandaloz.
Sipas jush, përse ish-ministrja Nikolla nxitoi për ta firmosur, teksa ishte duke e lënë postin?
Natyrshëm krijohet dyshimi, se pas gjithë kësaj qëndron, një shpërblim për fushatë . Ky është i vetmi shpjegim i nxitimit të znj. Nikolla, është financuar nga shtëpitë botuese për të bërë fushatë. Pasi e mora vesh këtë gjë, unë i dërgova një mesazh, ish-ministres, ku ndër të tjera i kërkova transparencë dhe ajo ma ktheu me një gjuhë banale.
Ajo është aty për të zgjidhur shqetësimet tona, e jo për të treguar autoritetet që ia jep posti. Ndaj unë mendoj që rikthimi i znj. Nikolla në ministri nuk është një shenjë e mirë. Është skandaloze që, këta edhe tekstin po e përdorin si formë interesi, për përfitime personale.
Profesor, keni dijeni nëse në të njëjtën mënyrë është proceduar edhe me tekstet e tjera?
Kjo që ndodhi nuk më lë gjë tjetër të mendoj, veç se është vepruar në të njëjtën mënyrë. Ndaj i bëj thirrje të gjithë pedagogëve, ose të gjithë atyre që kanë ndërgjegje intelektuale për fatin e dijes të fëmijëve shqiptarë, që ta përdorin këtë rast, për të reaguar. Unë do ta ndjek edhe ligjërisht këtë proces.
Jemi në përfundim të vitit akademik, në çfarë niveli është sistemi ynë arsimor?
Universitetet nuk janë aty ku duhet të ishin, sepse ka një kakofoni midis privatit dhe publikes. Shteti duhet të mbështesë në radhë të parë interesin publik dhe çdo gjë që është publike, ka nevojë të ketë vëmendjen maksimale. Pra, edhe fëmija i pastrueses të ketë mundësi të shkojë në shkollë, jo vetëm ata që kanë para. Kjo është ajo që po ndodh me arsimin.
Ndryshimet e vazhdueshme në ligje, projektimi i interesave të caktuara nuk sjell gjë tjetër, veç dëmton cilësinë e arsimit. Kjo është e keqja, që çdo ekip që vjen në qeverisje e fillon nga e para, rrjedhimisht ne nuk kemi themele të forta për arsimin.
Sipas jush, si duhet të ndërtohen themelet e forta?
Themelet e forta ndërtohen duke krijuar ekipe, të cilat janë të njohur me këtë fushë, të përpilojë programe duke zbatuar përvojën evropiane dhe aktorëve politikë, nuk iu mbetet gjë tjetër, veçse ta vendosin në zbatim. Pra, duhet të bashkohet mendimi intelektual me aksionin politik, pa këtë nuk ka progres në shoqëri.
Eshtë aksioni politik më dominues, duke e lënë në hije mendimin intelektual?
Aksioni politikë, për fat të keq do të marrë edhe atributet e aksionit intelektual. Dhe në një situatë të tillë, ne jemi duke shkuar drejt rritjes së injorancës, e po i sjellim dëme të mëdha shoqërisë. Nuk ka asgjë më të keqe për arsimin, kur inspektori është më mediokër se mësuesi dhe kjo është një gjë fatale.



