
Deputeti demokrat, Belind Këlliçi, i cilëson zgjedhjet lokale si zgjedhje jetike, pasi thotë se duhet të bëhet shkëputja nga modeli i drejtimit të bashkive nga një parti.
Në emisionin “Arnautistan” të Mustafa Nanos në MCN Tv, Këlliçi tha se ka votuar për të mos marrë pjesë në zgjedhje dhe pranoi se ka gabuar.
Kjo vendimmarrje ka qenë një nga gabimet më të mëdha dhe historike që mund t’i faturohet Partisë Demokratike, por e kemi marrë të gjithë atë vendimmarrje.
Se sot edhe prej PD, vendi është shumë larg shërbimeve që duhet të marrin qytetarët. Ditën e hënë patëm mbledhje të Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ku për herë të parë nuk u arrit konsensus.
Rregullorja dhe kriteret për të patur primare për herë të parë, ka pasur shumë diskutime, avantazhe dhe disavantazhe, kemi pasur mbi 6 orë debate, se po tentohet të futet një risi në politikën shqiptare, ku opozitarët nëse pëlqejnë një kandidat në primare për kryetar bashkie, të shkojnë dhe ta votojnë.
Formati i primareve është propozuar nga Sali Berisha në dhjetor të 2021, por modalitetet janë diskutuar më vonë. Kemi nevojë që të hapim dyert, për të rinj të talentuar, profesorë, akademikë.
Në tërësinë e saj, primaret janë mënyra më e mirë ku vendos shumica. Primaret sheshojnë pakënaqësitë dhe kur bëhen në avancë në kohë, pakënaqësitë nga kandidatët humbës, rikuperohen rrugës.
Barra e provës bie mbi Partinë Demokratike, për të sjellë edhe prurje të reja.
Duke përmendur takimet e fundit që ka patur me qytetarët, tha se padurimi për të shkuar në zgjedhje është shumë i madh.



