Një delegacion i Bashkimit Europian i kryesuar nga shefi i Divizionit për Ballkanin Perëndimor Eduart Auer, është takuar këtë të mërkurë me Ministrin e Brendshëm Xhafaj.
Në fokus të diskutimit ka qenë lufta kundër kanabisit, Plani Kombëtar kundër këtij fenomeni si dhe asistenca që delegacioni i BE-së do t’i japë Ministrisë së Brendshme.
“Përfaqësuesit e BE-së vlerësuan qartësinë e prioriteteve dhe veçanërisht miratimin e Planit Kombëtar të Veprimit kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit. Ata përshëndetën reagimin e ashpër të autoritetit, në rastin e ditëve të fundit në Policinë e Kurbinit, ku u ndëshkuan disa oficerë policie pas zbulimit të një parcele me bimë narkotike.
Delegacioni i Bashkimit Europian premtoi përshpejtim të asistencës dhe mbështetje me pajisje të teknologjisë së lartë për Policinë e Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve.”-shkruhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.



