Duke folur në emisionin “Arnautistan” në MCN TV politologu Ermal Hasimja tha se shumica e shqiptarëve kërkojnë të punojnë në shtet dhe kërkojnë një rrogë.
Sipas tij ka një ofertë punësimi klienteliste në shtet, që përputhet me atë që duan njerëzit si dhe amplifikon dembelizmin.
Sa më shumë përmirësohen kushtet e jetesës aq më pak është njeriu kërkues, sepse gjërat janë të gatshme. Kam punuar në një universitet privat. Në klasën ku jepja mësim kisha nxënës...I pyeta çfarë do bëni kur të mbaroni...Vinin shumica nga familje sipërmarrësish. Shumica më thoshin: Do kapim ndonjë punë në shtet, se jemi rehat, s’kërkon njeri llogari! Dhe s’bënin kalkulime ekonomike. Rroga në shtet ishte barabartë me lekët që ata harxhonin për kafe. Në kokën e tyre prindërit duhet të vazhdojnë t’i financojnë. Po të shihni Vox Pop-et thuhet që shteti s’po bën asgjë për ne, nuk po argëtoheni. Te Shkencat Sociale u organizua një protestë e madhe para 15 vitesh, ku e vetmja kërkesë që s’e shihje ishte ajo për bibliotekë apo për cilësinë e mësimdhënies. Në Shqipëri, për shkak se familjet shqiptare vijnë nga kohë kur mjerimi ishte standard bazë, prindërit ua plotësojnë të gjitha fëmijëve. Mesazhi që t’i i jep si prind një fëmije që i ble ‘Porsche’ për ditëlindje është që mjafton të ekzistosh, nuk ke nevojë të arrish vet. Mënyra e strukturimit të sistemit universitar në Shqipëri dëmton edhe sistemin parauniversitar. 67 për qind e shqiptarëve synojnë të punojnë në shtet. Ke një shumicë shqiptarësh që duan rrogë, jo punë. Ke një shtet që vitet e fundit ka shtuar 60 mijë vende pune, ndërkohë që popullsia është zvogëluar. Kjo ofertë punësimi klienteliste në shtet, përputhet me atë që duan njerëzit. Çdo fije dembelizmi amplifikohet nga kjo mënyrë funksionimi”.



