
Pyetjes se çfarë duhet të bëjë Partia Demokratike për tu rritur dhe për të thyer humbjet, demokratja Grida Duma iu përgjigj duke thënë se duhet të forcojë pikat e saj më të forta. E ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Duma tha se rezultati i PD nga zgjedhjet e 25 prillit treguan se PD është një makineri e madhe pasi nuk pati asnjë pushtet të vetin.
“Një parti që nuk ka asnjë pushtet dhe nuk ka asnjë mjet dhe të ndahet me këtë diferencë votash është arritje. Unë e njoh nga terreni çfarë do të thotë të arrish atë rezultat pa asnjë pushtet dhe me 85 mijë vota të pavlefshme. Të arrish një rezultat të tillë do të thotë se PD është një makineri e madhe. Gjithçka që duhet të bëjë është të forcojë pikat e forta të saj”, tha Duma.
Ndërkohë Arian Çani shtoi se rezultati mund të kishte qenë edhe më keq duke marrë parasysh të gjithë situatën.
“Duke u bazuar në faktin që ai ka gjithçka dhe këto asgjë, mund të kishin qenë edhe më keq”, tha Çani.



