Partia Demokratike të premten ka akuzuar qeverinë dhe në veçanti kryeministrin Edi Rama se sundimi i krimit në vend është shndërruar në një normalitet, sidomos tani gjatë periudhës së pandemisë.
Ishte ish-deputeti Enkelejd Alibeaj, i cili përmes një deklarate nga selia e PD-së, theksoi se po ndodhin vetëm dhunë, përdhunime, plagosje, vrasje dhe se Rama nuk sheh pendesë për asgjë, por ka zgjedhur sulmin për t’i shpëtuar përgjegjësisë.
“2 vrasje mafioze në Krujë, 2 vrasje të njëpasnjëshme në Vlorë, njëra në formën e një atentati mafioz, 2 vrasje për larje hesapesh në Kurbin, shpërthim tritoli nga Tirana në Vlorë, ky është bilanci i policisë së Edi Ramës dhe Sandër Lleshajt brenda 10 ditëve të fundit”, tha Alibeaj.
Ish-deputeti demokrat theksoi se vrasjet, shpërthimet me tritol, atentatet nuk parandalohen dhe autorët nuk gjenden, pasi policia e Edi Ramës është e zënë me shfaqjet e turpshme me dron antikanabis, që zbulojnë vetëm 30 fidanë, sepse policia nuk lufton krimin, por rreh qytetarët që protestojnë në mbrojtje të Teatrit.
Ai deklaroi se vrasja e dyfishtë dje në mbrëmje në Krujë është vetëm një episod, pasi janë akte që frymëzohen nga mbrojtja shtetërore e Edi Ramës.
Sipas tij, ky i fundit, është strategu i kësaj dhune dhe që nuk gjen pendesë as në rastin e dhunimit të një 15-vjeçarje.



