
Kryeredaktori i MCN TV, Leonard Mitro, beson se vendimi për t’i kthyer Rithemelimit vulën e PD-së duhet ta ketë një çmim, pasi ajo iu dha grupimit Berisha në një moment kur kryetari ndodhet në arrest shtëpie. Mitro tha se me gjasa, Berisha do ta humbasë mandatin e deputetit dhe me një dënim të mundshëm, dekriminalizimi do t’ia pamundësojë kandidimin në zgjedhjet e 2025-s. Mitro shtoi se vendimi i shkon përshtat edhe z.Rama, që mund të dalë dhe të hedhë poshtë akuzat për drejtësi të kontrolluar.

Pyetjes, si duhet parë ky vendim i Gjykatës së Apelit që rikthen vulën PD së Berishës?
"Formalisht është një akt që legjitimon opozitën e udhëhequr nga z.Berisha, megjithatë duket se është një vendim që u shkon të gjitha palëve përshtat dhe i kënaq të gjithë. Padiskutim që ky vendim besoj se duhet të ketë një çmim. I është dhënë Rithemelimit në një moment kur kryetari i saj është në arrest shtëpie, dhe po përpiqet ta trajtojë veten si të burgosur politik, por ndërkohë po i skadon edhe afati për të mbajtur mandatin e deputetit. Diskutimi në thelb i gjithë kësaj rrëmuje brenda PD qëkurse nisi, nuk kishte të bënte me faktin se kujt grupimi i takon vula, por a duhet të vazhdonte të ishte Sali Berisha në krye të PD dhe opozitës pas shpalljes nga SHBA si një person ‘non grata’ ”.
Pyetjes a do vazhdojë të jetë Berisha kryetar i PD, Mitro iu përgjigj:
"Këtë nuk e di, këtë duhet ta vendosin anëtarët e PD. Por unë mendoj që me shumë gjasë z.Berisha e humbet mandatin e deputetit dhe me një dënim të mundshëm nga drejtësia hyn në lojë ligji i dekriminalizimit, dhe ai do ta ketë të vështirë për të qenë aktiv politikisht dhe për të patur mundësinë që të jetë i zgjedhur në 2025-ën. Ky vendim duhet parë edhe në një kontekst të caktuar politik. Ne shohim prej javësh një lloj relaksimi të marrëdhënieve të mazhorancës dhe opozitës. Ka një konsensus nën rrogoz, nën tavolina, për të ngritur komisione të posaçme, për të arritur një dakordësi për Komisionin e Reformës Zgjedhore, e gjitha kjo në këmbim të përjashtimit gjithmonë e më shumë të z.Berisha nga jeta politike e vendit, ajo çka kanë kërkuar që në fillim edhe SHBA-të. Me kthimin e vulës në PD rikthehemi në pikën zero, me të vetmin përjashtim që Berisha është tashmë në pozitën e një politikani, ku hapësirat ligjore që të marrë drejtimin e opozitës por edhe të vendit nesër po ngushtohen gjithmonë e më shumë, marrë në konsideratë faktin që po i skadon afati për mbajtjen e mandatit dhe menjë dënim të mundshëm të tij. Ky vendim i vjen përshtat mazhorancës dhe z.Rama, që mund të artikulojë sot dhe të hedhë poshtë akuzat në drejtim të tij, që ka një drejtësi të kontrolluar politikisht. Rama mund të dalë dhe të thotë ja ky është shembulli më i mirë që drejtësia s’kontrollohet nga kryeministri. Ajo që të gjithë shohim kohët e fundit është konsensusi i të gjitha palëve, aq më tepër për të ndërhyrë në Reformën në Drejtësi, dhe kjo s’bëhet pa bekimin e partnerëve. PD-së dhe opozitës tani i bie çdo alibi në zgjedhjet e ardhshme për t’u fshehur pas gjithë kësaj polemike që vula na ka dëmtuar”.



