
Ish-kryeministri Berisha akuzoi qeverinë se e ka kthyer Shqipërinë në vend tranzit të drogave të forta. Në seancën e sotme, gjatë diskutimeve për vetingun në polici, Berisha akuzoi ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, për përfshirjen e familjarëve në trafikun e drogës.
“Nuk mohohet se ka pasur krim e trafiqe, por do të lexoj çfarë shkruhet mbi raportin e OKB-së. “Shtypja që Italia dhe Shqipëria i kanë bërë transportit të drogës, sasia e heroinës afgane e tranzituar nga Shqipëria ka qenë minimale. Asgjë në botë nuk ndalon individin për të dhënë shembullin personal. Morali ka Kushtetutën më supreme. Çfarë do t’u thuash ti, si do t’u kërkosh policëve me cilin trafikant ke pirë kafe, në një kohë kur e ke në familje njeriun e dënuar me 14 vite nga republika italiane”, tha ai.
Ndërsa deputeti socialist, Taulant Balla, citoi raportin e një agjencie belge, sipas të cilës para të krimit janë transferuar në llogaritë e PD-së.
“Sali, duhet të jesh krenar që Luli të ka ngjarë vetëm në një gjë: të dy bëheni seriozë sa herë që gënjeni. Ikni të dy, sepse të dy bëheni seriozë vetëm kur gënjeni. Sa i përket bandave të gangsterëve shqiptarë, fonde janë transferuar në emër të Partisë Demokratike në Shqipëri. Është e rëndë si është financuar nga banda dhe kriminelë të BE. I kam dëgjuar Lulin dhe Saliun të thonë se është PS. Ja ku është raporti nga një institucion i një vendi europian. Raporti thotë se është financuar PD-ja”, tha Balla.



