Kreu në detyrë i Partisë Demokratike, dhe kandidati për kryetar në këtë parti, Lulzim Basha, në vijim të takimeve me demokratët e degëve 7, 10, 12 dhe 14 në Tiranë, u ndal sërish tek zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Ndër të tjera, Basha e cilësoi si masakër zgjedhore 25 prillin, duke shtuar se kush e mohon një gjë të tillë do të thotë dorëzim pa kushte para padrejtësisë.
Kryedemokrati u shpreh i vendosur për të vijuar më tej betejën kundër regjimit Rama-Doshi. Basha tha edhe njëherë se nuk do të ketë bashkëpunim me Ramën.
“Të mohosh masakrën e 25 prillit dhe të njohësh zgjedhjet, do të thotë dorëzim pa kushte para padrejtësisë. Do të thotë dorëzim para gjithë maskaralliqeve dhe harbutërisë dhe barbarisë që është derdhur kundër demokratëve e në fakt kundër të gjithë shqiptarëve.
Do të thotë të hedhësh poshtë sakrificat e gjithsecilit prej jush dhe të qindra e mijëra demokratëve anembanë Shqipërisë.
Do të thotë të hedhësh poshtë shantazhin, blerjen e votës që kanë pësuar demokratët anembanë Shqipërisë, me qëllim tjetërsimin e rezultatit.
Do të thotë po kështu të hedhësh poshtë kështu besimin jo vetëm të demokratëve por dhe të shqiptarëve që në Shqipëri mund të bësh diferencën dhe mund të sjellësh dhe mund të sjellësh ndryshimin me mjete të ndershme.
Do të thotë pra, të pranosh se në këtë vend nuk mund t’i ndryshosh gjërat po mos të jesh kriminel, i korruptuar ose shoku dhe shërbëtori ose shefi i tyre.
Unë këtë nuk mund ta pranoj dhe e unë e di që dhe ju nuk e pranoni dhe nuk duhet ta pranoni.
Sepse me fushatën tonë, me një fushatë të pashembullt, ne provuam të kundërtën. Që pa kriminelë në krah, pa blerë një votë të vetme, por vetëm duke ju provuar shqiptarëve motivet e vërteta pse shkuam dhe kërkuam votën permes programit, vizionit dhe ideve tona, shumica e shqiptarëve besuan që edhe pse nuk kishim asnjë pushtet, ne, ju, Partia Demokratike ishte rruga, ishte forca që duhej ndjekur e duhej votuar ne këto zgjedhje.
E vërteta është që shqiptarët e besuan programin tonë, e vërteta është që njerëzit besojnë tek vlerat tona, shumica e shqiptarëve besojnë tek vlerat tona.
E vërteta është që njerëzit e deshën dhe e duan akoma ndryshimin përmes bashkimit tonë dhe jo përmes krimit, korrupsionit, shantazheve, dhunës dhe propagandës së shfrenuar dhe perverse të Edi Ramës dhe regjimit të tij.
Prandaj 13 qershori është një ditë e rëndësishme, se nuk do të percaktojë thjeshtë kryetarin e Partisë Demokratike, por aksionin tonë politik të ardhshëm.
Këtë ditë faktikisht do të vendoset nëse do të ngremë duart lart e do të pranojmë një pakicë të grabisë vullnetin e shumicës, të shkelë dhe shkelmojë sakrificën tuaj dhe të demokratëve anembanë Shqipërisë, për të triumfuar me vlera, me program, me ide mbi të keqen, apo do të vazhdojmë me të gjithë forcën që kemi betejen tonë. Ky është vendimi i vërtetë që do të merret më 13 qershor”.
Numri një i PD-së nuk la pa falënderuar të gjithë demokratët dhe kryetarët e degëve në angazhimin e tyre në zgjedhjet parlamentare.
“Më 13 qershor do vendosim të vazhdojmë të bashkuar me shumicën e shqiptarëve betejën kundër regjimit Rama-Doshi, jemi shpresa e vetme e njerëzve për demokraci”.



