Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi ka dalë pasditen e sotme në një konferencë për shtyp, duke akuzuar qeverinë se ka përdorur dhunë ndaj aktivisteve të kësaj partie.
Kryemadhi deklaroi se Rama urdhëroi arrestimin e 8 studenteve se i dolën para me parulla duke i kërkuar të largohej ndërsa shkonte në Bruksel. Kryemadhi tha se studentet u dhunuan dhe fyen nga shefi i Komisariatit të Rinasit, ndërsa paralajmëroi Ramën se ‘ka hyrë në gjak me rininë shqiptare’.
“Sot përpara mediave nuk jam prezent për t’i përsëritur shqiptarëve atë që ndodhi por për një fakt tjetër në vazhdën e imoralitetit, të papërgjegjshmërisë e sjelljes kriminale të Edi Ramës që urdhëroi arrestimin e 8 vajzave të reja, që rrugës për në Bruksel i kishin dalë me një parullë për t’i bërë thirrje që të iki dhe të mos kthehet më”, deklaroi Kryemadhi.
Kryetarja e LSi theksoi se sot ishin me qindra mijëra shqiptarë në shesh ndërsa nesër do jenë më shumë. Gjatë fjalës së saj, kryetarja e LSI tha se Rama ka hyrë në gjak me rininë shqiptare dhe se gjaku i deputetes Floida Kërpaçi nuk do të lahet kurrë.
“Nuk na ngelet gjë tjetër veçse t’i drejtohemi shqiptarëve derë më derë dhe qytet më qytet, për t’i treguar qeverinë e krimit dhe kokën e vetme të krimit, Edi Ramën. Gjaku i Florida Kërpaçit nuk do të lahet asnjëherë nga bluza e saj. Sot Rama është në gjak më rininë shqiptare. Ai s’do të pijë më kurrë kafe i qetë dhe nuk do të shëtisë asnjëherë i qetë në rrugët e Tiranës”, deklaroi Kryemadhi.



