
Zyra e OSBE-së ka nisur hetimet lidhur me incidentin e disa ditëve më parë ku ambasadori i OSBE Bernd Borchardt i nxori gishtin e mesit protestuesve të Unazës së Re.
Përfaqësuesja e zyrës së OSBE, Mersiha Causevic Podzic, në një përgjigje ndaj letrës së tyre, i kërkon ndjesë “Lëvizjes për Dinjitet të Grave të Unazës së Re” për gjestin ofendues.
“Ky ishte një incident për të cilin na vjen keq. Ambasadori Borchardt i ka kërkuar falje popullit shqiptar dhe theksoi se ai respekton të drejtën e shqiptarëve për demonstrim paqësor.
Kjo nuk duhet të hedhë hije në punën e madhe që po bëhet nga Prania e OSBE-së për të ndihmuar Shqipërinë dhe qytetarët e saj për reformat e tyre në shumë fusha. OSBE do të vazhdojë angazhimin dhe të ofrojë ndihmë për Shqipërinë. OSBE-ja ka procese të brendshme në lidhje me çështje të tilla. Këto janë një çështje e menaxhimit të brendshëm dhe ne nuk mund të komentojmë publikisht për ndonjë proces specifik që mund të lindë”, i shkruan ajo.



