Dekreti i Presidentit të Republikës Bujar Nishani, i cili ktheu për rishqyrtim ligjin e mbetjeve do të diskutohet në Kuvend brenda tre javëve në vazhdim. Kalendari trejavor i punës së parlamentit për periudhën 7-24 nëntor parashikon shqyrtimin e tij nga komisioni përgjegjës, ai i Veprimtarisë Prodhuese, dhe më pas, më 24 nëntor do t’í kalojë për votim séancës plenare.
Ndryshimet në ligjin “për menaxhimin e integruar të mbetjeve” u miratuan në parlament më 22 shtator, me 63 votat e maxhorancës. Ligji i ndryshuar, qe i hap rrugën rilejimit të importit të mbetjeve të ngurta, jo të rrezikshme, si lëndë e parë për industrinë ricikluese në vend, u kontestua ashpër nga opozita dhe shoqëria civile, që pretendojnë se hartimi i tij i shërben interesave korruptive. Por, qeveria nga ana e saj thone se amendimi i ligjit në fjalë është në linjë me direktivën e BE-së për të stimuluar zhvillimin e industrisë së riciklimit në vend.
Kontestimin e saj opozita e konkretizoi përmes depozitimit në parlament të një kërkese për mbajtjen e një referendumi të përgjithshëm.
Qëndrimeve kundër iu bashkua dhe presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i cili, më 14 tetor e ktheu ligjin për rishqyrtim në Kuvend, me argumentin se bie ndesh me Kushtetutën dhe marrëveshjet ndërkombëtare me fuqi detyruese në Republikën e Shqipërisë.
Këtij vendimi, Kreu i shtetit Nishani , i parapriu me takime konsultuese me shoqërinë civile dhe shoqatat e ricikluesve, të cilët parashtruan qendrimet pro dhe kundër ligjit ne fjale.
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, duke e konsideruar çështjen e mbetjeve mjaft sensitive për opinionin publik, u shpreh per një ekspertize të thelluar nga BE.
Ndërkohë, aktivistët e shoqërisë civile kanë vijuar përpjekjet për dialog me palët politike, përmes takimeve me përfaqësues të grupeve parlamentare në Kuvend.



