
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian mirëpret vendimet e Kosovës dhe Serbisë për të njohur zyrtarisht targat e automjeteve të njëra-tjetrës dhe për të shfuqizuar plotësisht regjimin e afisheve.
Në një deklaratë për media, Borrell ka thënë se ky është një hap pozitiv drejt rrugës për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Ky vendim është një hap pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit, si dhe në angazhimet e kaluara të Dialogut lidhur me Lirinë e Lëvizjes.
Ky vendim tregon se është i mundur arritja e përparimit në avancimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe thekson rëndësinë e vazhdimit të punës në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, tutje ka shtuar ky përbën gjithashtu një hap në drejtimin e duhur drejt një integrimi më të mirë rajonal dhe evropian të Ballkanit Perëndimor, nga i cili në fund përfitojnë qytetarët e rajonit.
Më 25 dhjetor, Qeveria e Serbisë vendosi të lejonte makinat me targa RKS- Republika e Kosovës, të lëvizin lirshëm në territorin e shtetit të saj dhe vendimi nis së zbatuari më 1 janar të vitit 2024.
Ndërkaq, më 4 janar Qeveria e Kosovës vendosi që të heqë regjimin e letrave ngjitëse për makinat me targa të Serbisë.
Qeveria e kryeministrit Albin Kurti tha se heqja e regjimit të letrës ngjitëse nga ana e saj “është akt i fqinjësisë së mirë dhe vjen pas njohjes së plotë të targave të Republikës së Kosovës nga Serbia”.



