
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është kërcënuar me jetë përmes një emaili anonim të dërguar në adresën zyrtare të Presidencës. Në këtë komunikim, ajo është etiketuar mes tjerash si “kriminele antikushtetuese”.
Lidhur me këtë rast ka reaguar këshilltari për media i Presidentes, Bekim Kupina, i cili theksoi se ky nuk është kërcënimi i parë i këtij lloji ndaj Osmanit.
Kërcënimi i fundit ndaj Presidentes së Republikës, Vjosa Osmani, është vetëm një hallkë në zinxhirin e kërcënimeve të vazhdueshme me jetë që ajo ka marrë ndër vite.
Ai kritikoi ashpër institucionet e drejtësisë për mungesën e reagimit dhe veprimit konkret ndaj autorëve, duke theksuar se në shumë raste identiteti i kërcënuesve ka qenë i njohur.
“Rasti i kërcënimeve të njëpasnjëshme ndaj Presidentes dhe familjes së saj është i vetmi në historinë institucionale, siç na është thënë nga organet e sigurisë, ku asnjë nga kërcënuesit nuk është përballur me drejtësinë,” shtoi ai.
Kupina tha gjithashtu se kërcënimet janë bërë shpesh publikisht, madje edhe në emisione televizive, me autorë të identifikueshëm me emër e mbiemër, por përsëri pa pasoja ligjore.
“Kur kërcënimet e rënda nuk trajtohen me seriozitetin që meritojnë, ato jo vetëm që nuk ndalen, përkundrazi, inkurajohen,” paralajmëroi ai.
Sipas Kupinës, kjo situatë ka krijuar një klimë të rrezikshme, e cila nxit dhunë, thirrje për eliminim fizik dhe përçmim ndaj rendit kushtetues në vend.



