
Deputeti dhe Kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, tha në emisionin "Të Paekspozuarit", në MCN tv, se pritet që protesta do të ketë pjesëmarrje shumë të lartë.
Paloka u shpreh se protesta nuk do të jetë vetëm shëtitje në bulevard, porse nuk dalin as për ti bërë fresk qeverisë.
Nuk them dot një numër ekzakt, por them me bindje të plotë që kjo do të jetë mbase protesta më e madhe që ka bërë ndonjëherë opozita. 7 korrikun e mbajmë mend. Kini parasysh që u zhvillua në kushtet më të pafavorshme. Mjafton kjo për të kuptuar sa do të shtohen protestuesit. Në këtë periudhë qeveria nuk ka bërë ndonjë të mirë për shqiptarët, por doza e të këqijave është rritur.
Mosbindja civile jo detyrimisht është dhunë, por nuk është shëtitje në bulevard. Mosbindja civile ka forma nga më të ndryshmet. Mosbindja civile mund të nisë që te mospagimi i taksave.
Për këto duhet ndërgjegjësim shumë i madh i qytetarëve. Dhuna nuk duhet ti trembë qytetarët, sepse po bëjnë propagandë, dalin të çmendur thonë do të fillojë lufta. Nuk është e vërtetë. Qytetarët të vijnë të qetë.
Nuk do të jetë vetëm shëtitje në bulevard, por nuk do të ketë dhunë. Ne nuk dalim për ti bërë fresk qeverisë. Berisha thotë një shprehje, herë e drejton protestën dhe herë të drejton protesta.
Protesta ka vetëm një kërkesë, largimin e qeverisë. A arrihet atë ditë? Këtë nuk mund ta them sot, se duhet të ishte kryengritje për këtë.



