
Kryedemokrati Sali Berisha thotë se Kodi i ri Penal ka dalë nga shpellat e mafies dhe se synimi i tij është lirimi i të dënuarve me burg përjetë, vetëm sepse janë enturazh i Edi Ramës dhe qeveritarëve të tjerë.
Në një komunikim për mediat ditën e sotme, ai deklaroi se ligji preket rrallë dhe kur preket, preket me një dorë që dridhet, pasi stabiliteti i ligjit është kushti madhor i sigurisë juridike, e cila përbën dimension më cilësor të shtetit ligjor.
Në vitin 2014, me ndihmën e Euralius, u hartua kodi penal që është sot në fuqi. Dhe pa u mbushur 10 vite apo fiks në 10 vite, del nga shpellat e mafies, pa asnjë konsultim, nga zyrat e Edi Ramës, një tekst tjetër i ri i kodit penal.
Edhe njëherë, kodet plotësohen me veprat penale që krijohen, me praktikat që duhet të zbatohen, por të ndryshosh kod çdo 10 vite do të thotë se interesa tepër të mprehta të detyrojnë të ndërmarrësh një akt të tillë.
Dhe këtë kur e ndërmerr në mënyrë pothuaj të fshehtë, pa asnjë konsultim paraprak me faktorët kryesorë, me avokatët, me gjyqtarët, me prokurorët, me shoqërinë civile, me mediat, me deputetët, por del sikur e nxjerr nga shpella dhe e paraqet atë, tregon se nuk ke asgjë të përbashkët aty për interesat e shtetit ligjor, as të qytetarit, mbrojtjes së jetës dhe pronave të qytetarëve, por përkundrazi ke interesat e narkoshtetit, shtetit mafioz, karteleve të drogës që të imponojnë të ndërmarrësh një hap të tillë në sekret të plotë.
Pa asnjë debat paraprak të gjerë, paraqesin këtu arkitekturën e plotë të kodit penal të diktaturës komuniste në raport me lirinë e fjalën dhe dënimin, trajtimin e qytetarëve. Sot me këtë kod, qytetari shqiptar dënohet me burg për një parkim të gabuar. Me këtë kod, qytetari shqiptar burgoset për një kundërshtim që i bën një polici pijanec apo të droguar.
Sot qytetari shqiptar dënohet me dhjetëra vite në qoftë se i ka marrë ndërmarrjes 1 milion lekë. Ndërkohë që zyrtari i lartë duhet të vjedhë qindra milionë që të marrë dënimin që meriton. Ky është kodi i përçudnive të mëdha. Pra, është kodi që vrasësit serialë i nxjerr nga dënimi i përjetshëm dhe u jep një shans të dytë, në një kohë kur në të gjitha ligjet, dhe sot në ligjet e vendeve demokratike të botës, ata marrin dënimin me vdekje.
Dhe në qoftë se pyeten qytetarët sot, janë të gatshëm të votojnë për rivendosjen e dënimit me vdekje. Por meqenëse ka ndodhur që këta janë enturazhi i Edi Ramës, dhe qeveritarëve të tjerë, atëherë duhet të bëjmë ligjin që këtyre t’u japim një shans të dytë. Shans të dytë atij që ka vrarë në gjumë tjetrin.
Dhe ajo që është vrarë në gjumë, apo ai që është vrarë në gjumë, është i 10-ti apo i 12-ti që kanë vrarë. Për këta, Ulsiu dhe Edi Rama na dalin si të civilizuar para qytetarëve që po bëjmë një kod. Kodi është kryekëput infrastrukturë ligjore e narkoshtetit të instaluar.



