
Bashkimi Evropian do të dërgojë në Kosovë një mision për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale, që do të mbahen më 17 tetor të këtij viti.
Tashmë në Prishtinë kanë ardhur ekipi kryesorë i përbërë nga 10 ekspertë zgjedhorë, ndërsa në mes të shtatorit misionit do t’i bashkohen edhe 22 vëzhgues afatgjatë.
Prania e vëzhguesve ndërkombëtar erdhi pas ftesës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, emëroi deputetin e Parlamentit Evropian nga Austria, shef të misionit vëzhgues për zgjedhjet në Kosovë, Lukas Mandl, thuhet në njoftimin e BE-së.
“Në përgjigje të ftesës së Presidentes së Kosovës, Bashkimi Evropian (BE) ka vendosur të vendosë një Mision të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE -së (MVZ) për të vëzhguar zgjedhjet lokale të planifikuara për 17 tetor 2021. Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë dhe Nënkryetar i Komisionit Evropian, ka emëruar z. Lukas Mandl, anëtar i Parlamentit Evropian shef të Misionit të Vëzhguesve të BE-së 2021 në Kosovë. Misioni filloi të vendoset në Kosovë në fillim të shtatorit”, thuhet në komunikatën për media të zyrës së BE-së në Kosovë.
Borrell thotë se janë të gatshëm për bashkëpunim me autoritetet e Kosovës, për të forcuar procesin zgjedhor dhe po ashtu në forcimin e qeverisjes demokratike.
“Për të tretën herë, ne do t’i vëzhgojmë zgjedhjet komunale në Kosovë përmes një misioni të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve. Besoj se prania e këtij misioni do të kontribuojë për një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, të besueshëm dhe transparent, si dhe të ndihmojë reformat e nevojshme zgjedhore për të ardhmen”, është shprehur Borrell.
Mandl është shprehur se ndihet i nderuar për besimin që i është dhënë me emërimin, për zgjedhjet lokale të vendit.
“Jam i bindur se misioni do të sjellë një vlerë të shtuar në procesin zgjedhor. U gëzohem takimeve dhe angazhimit me autoritetet në terren, partitë politike, kandidatët, shoqërinë civile dhe pjesëmarrësit tjerë në procesin zgjedhor”, tha Mandl.
Misioni i BE-së do të përforcohet me vëzhgues afatshkurtër gjatë ditës kur do të mbahen zgjedhjet, përfshirë edhe në rast të rundit të dytë, më 14 nëntor.



