Ministrat e Jashtëm të tre vendeve të Rajonit, Shqipërisë, Kroacisë dhe Malit të Zi do të mblidhen në takimin e dytë Ministror, i njohur si takimi Trepalëshit të Adriatikut.
Takimi do të zhvillohet në Durrës në 17 nëntor, me ftesë të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati.
Kroacia do të përfaqësohet me Zv. Kryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Çështjet Evropiane Marija Pejčinović Burić, ndërsa Mali i Zi me Ministrin e Punëve të Jashtme, Srđan Darmanović.
Trepalëshi i Adriatikut është themeluar në një takim të Ministrave të Jashtëm të të tre vendeve, në shkurt të këtij viti në Split, Kroaci. Ai shërben si një platformë për përpjekje të përbashkëta të hapësirës Adriatike të NATO-s, për forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit mes tre vendeve pjesëmarrëse si dhe për një aksion të përbashkët në interes të një rajoni më të sigurt dhe më të ndërlidhur në të gjitha dimensionet.
Gjatë këtij takimi, Ministrat e tre vendeve do të diskutojnë mbi bashkërendimin e përpjekjeve si tre vende anëtare në Aleancën e Atlantikut të Veriut për adresimin e sfidave me të cilat përballet rajoni i Ballkanit perëndimor, si dhe për projektet konkrete të vendeve tona në infrastrukturë, energjetikë dhe turizëm.
Takimi do të fillojë në orën 09.30 në Muzeun Arkeologjik në Durrës. Në përfundim të tij, Ministrat do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.



