Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka mirëpritur marrëveshjen e ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, për krijimin e një liste të unifikuar të partive shqiptare në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Serbi.
Në një postim në Tuiter, Thaçi shprehet se ky bashkim është një mjet për fuqizimin politik dhe mbrojtjen e interesave kombëtare.
“Unë mirëpres marrëveshjen për krijimin e një liste zgjedhore të unifikuar të partive shqiptare në luginën e Preshevës. Mjet i rëndësishëm për fuqizimin politik dhe mbrojtjen e interesave kombëtare. Falënderoj gjithashtu ushtruesin e detyrës së Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Gent Cakajn, për mbështetjen e këtij procesi”, ka shkruar Thaçi.



