
Ish-deputeti i PD Fatbardh Kadilli tha në emisionin “Aranutistan” se kundërshtia e tij ndaj Sali Berishës lidhet me faktin që kryedemokrati e pamundëson rotacionin.
Kadilli vë në dukje se të zgjedhurit si deputetë brenda kampit blu, s’kanë shitur vetëm parimet, por edhe të ardhmen e shoqërisë.
Kadilli thotë se shumë deputetë të PD përdorin të njëjtin fjalor si Berisha, duke u shprehur se gjendja morale e forumeve të PD, është edhe më e rëndë se e atyre në Partinë e Punës.
Shqipëria është anti-Berishë ose pro Berishë. Kur ti e relativizon apo zvogëlon garën te një individ sado i mirë të jetë ky njeriu s’mund të pushtojë territore përtej fanatikëve të vetë, dhe po rrudhet gradualisht. Sa më gjatë të rrijë ai në krye të formacionit politik, PD, aq më pak vota do marrë në mënyrë dramatike. PD dhe Berisha kanë 50 mandate, jo tamam, po themi 43, por s’do kenë degë gradualisht, sepse do fillojnë të shkërmoqen strukturat e partisë.
Një pjesë e atyre që janë në PD vërtet kanë IQ të ulët. Por një pjesë tjetër s’është se s’kanë mend, pjesa më e madhe mbase, po kanë hequr dorë nga arsyet pse merresh me politike. Arsyeja pse ata merren me politikë është karriera që u siguron famë dhe ndonjë të ardhur. Karakteri i tyre është shitur te ambicia për të qenë i famshëm dhe i pasur lehtësisht përmes politikës. Këta mua më shqetësojnë më shumë se Berisha, se ai është një egomanjak, njësoj si Rama. Të dy e dinë veten mesia në këtë vend! Këta njerëzit që i rrinë nga mbrapa Berishës dhe e dinë shumë mirë, as për të fituar s’kanë mundësi, as ofertë s’është e re, dhe e dinë që s’fiton, por thonë të bëhem unë deputet.
Këta demokratë që u bënë deputetë s’kanë shitur vetëm parimet e tyre, kanë shitur të ardhmen e shoqërisë. Ne s’kemi mundësi rotacioni, pra Berishën unë e kundërshtoj fort për një arsye, na pamundëson të largojmë Ramën nga pushteti.
Ata përdorin të njëjtin fjalor (si Berisha) sepse duan t’i hyjnë në zemër komplet. Gjendja morale e forumeve të partisë, kryetar Kryesie dhe deputetë, është më e rëndë, më e ulët, se e atyre që ishin në Partinë e Punës, Komitet Qendrore, e çfarë kishte Partia e Punës. Ata të paktën besonin mbase edhe në mënyrë idioteske që po bënin një gjë të madhe për Shqipërinë”.



