Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare përfunduan dje në Korenë e Jugut. Rezultatet shpallen fitues Partinë Demokratike të kryesuar nga presidenti i vendit Moon Jae-in.
Partia Demokratike e Koresë së Jugut triumfoi me 98% të votave të numëruara, duke fituar në 163 zona elektorale, ndërsa Partia e Ardhmja e Bashkuar, forca kryesore e opozitës fitoi vetëm në 84 zona.
Mësohet se Koreja e Jugut votoi për 300 vendet e Asamblesë Kombëtare, ndërsa për herë të parë në gjashtëmbëdhjet vjet, partia në pushtet fiton shumicën absolute.
Votat e marra nga partia e Moon, bashkë me votat e partive aleate, sipas parashikimeve, mund të fitojnë rreth 179 vende në Asamblenë Kombëtare, ndërsa opozita mund të marrë gjithsej 104 vende.
Ky rezultat mund të ketë ardhur për shkak të reagimit në kohë të qeverisë ndaj pandemisë së krijuar nga virusi Covid-19.
Megjithatë, zgjedhjet e përgjithshme u panë nga shumë analistë si një vetëvrasje për qeverinë, pasi vendi po përjetonte një rënie ekonomike, gjithashtu edhe skandali i korrupsionit të ish-ministrit të Drejtësisë, Cho Kuk, i cili u detyrua të jepte dorëheqjen tetorin e kaluar kishte rritur shkallën e mospëlqimit ndaj qeverisjes.
Gjithsesi, popullariteti i Presidentit të Koresë së Jugut është rritur për shkak të përgjigjes së vendit aziatik, ndaj urgjencës shëndetësore të krijuar nga koronavirusi.
Fitotorja në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, të cilat mbahen çdo katër vjet, ka krijuar një shumicë parlamentare që do t’i krijojë mundësinë presidentit të vazhdojë axhendën e tij të reformave deri në mbarimin e mandatit të tij në vitin 2022.
Pjesëmarrja
Zgjedhjet, të cilat filluan me dy raunde me 10 dhe 11 prill të vitit të kaluar, gjithashtu patën një pjesëmarrje rekord, me 66.2%, sipas të dhënave të Komisionit Zgjedhor, duke shënuar nivelin më të lartë të pjesëmarrjes në 22 vitet e fundit.
Prandaj edhe votuesit në Korenë e Jugut kësaj radhe nuk ishin dekurajuar për shkak të masave të marra për sigurinë shëndetësore, të cilat parashikonin një maskë për fytyrën, kontrollin e temperaturës, dizenfektimin e duarve në hyrje të vendvotimeve dhe distancimin fizik, ndërsa prisnin për të votuar.



